Është një zbulim i jashtëzakonshëm, të cilin mjekët nuk dinë t’i japin asnjë shpjegim.
Në një artikull të publikuar sot në një revistë amerikane, u bë e njohur historia e një fëmije të lindur pa disa pjesë të trurit, i aftë të bëjë gjëra të pabesueshme.
Vetë mbijetesa e tij është tërësisht e pashpjegueshme për mjekët, pasi 3-vjeçarit i mungon truri i vogël dhe pjesë të tjera të rëndësishme të trurit.
I quajtur Chase Britton, fëmija jeton i lumtur në Nju Jork. Prindërit e tij sigurojnë se i pëlqen të këndojë dhe të qeshë gjatë të gjithë kohës.
Në vitin 2008, David dhe Heather, prindërit e tij, u bënë prindër të një djali të dytë të quajtur Troy, edhe ai i lindur në mënyrë të parakohshme dhe me keqformime.
Troy arriti të mbijetonte vetëm gjashtë javë pas lindjes, por vëllai i tij me “gjysëm” truri, edhe ai i lindur përpara kohe, jo vetëm që i ka kaluar javët e para, por gëzon një shëndet të plotë, të njëjtë me atë të çdo 3-vjeçari tjetër.
”Mjeku na thirri dhe nuk dinte se çfarë të na thonte”, tregon Zoti Britton. “Askush nuk ka parë kurrë më parë diçka të tillë. Shkuam më pas tek neurologët dhe ata u shastisën edhe më shumë. Ngelën duke thënë që kjo është e pamundur.
Sipas tyre, djali ynë nuk duhet të ishte në gjendje të jetonte, por edhe nëse do t’ia dilte, është e pamundur për ta të shpjegojnë se si ai bën funksione, të cilat kryhen normalisht nga pjesët e trurit që atij i mungojnë”.
Në pjesën ku 3-vjeçari duhet të kishte trurin e vogël, ai ka vetëm një lëng organik. Kjo pjesë e trurit kontrollon frymëmarrjen dhe funksione të tjera si gjumi.
Djali është në gjendje të marrë frymë dhe të flejë pa probleme, ndërsa tek një njeri normal, një dëmtim në trurin e vogël sjell menjëherë vdekjen, pasi pushon funksioni i mushkërive.
Misteri është edhe më i thellë nëse merr parasysh që në skanerat dhe ekot gjatë zhvillimit, tregohet qartë se djali i saj kishte trurin e vogël dhe një tru tërësisht normal.
Nëse kjo do të konfirmohet nga mjekët, atëherë kjo çështje, do të hedhë poshtë të gjithë parimet bazë të shkencës mjekësore.
Top Channel