Milani mbron Gattuso-n: Nuk është kriminel

17/02/2011 17:00

UEFA do të mblidhet në 21 shkurt për të biseduar rreth pezullimit të mundshëm të Gennaro Gattuso-s, ndërsa Milani përgatit strategjinë për mbrojtjen e mesfushorit.

Përballë mundësisë që 34-vjeçari të pezullohet me pesë javë, administratori i deleguar i klubit, Adriano Galliani, ngriti zërin dhe deklaroi se është e gabuar që Gennaro të trajtohet si një kriminel.

”Ajo që bëri Gattuso ishte një episod i pakëndshëm dhe diçka që nuk duhet të ndodhë në futboll, por u provokua në mënyrë të ashpër. Nuk duam t’a justifikojmë, por nuk është as nevoja për të dramatizuar”, deklaroi Galliani.

”Po flasim për një lojtar që ka marrë pjesë në 104 ndeshje në Europë dhe është përjashtuar vetëm një herë të vetme, në vitin 2003, pas një faulli ndaj Ibrahimovic-it. Njëkohësisht, dua të hedh poshtë të gjithë ato spekulime rreth mundësisë që klubi t’i heqë shiritin e kapitenit, ai do të mbetet kapiteni ynë.

Shpresojmë vetëm që UEFA të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe mënyrën se si ai është sjellë për 104 ndeshje, përpara se të vendosë mbi masat që do të marrë”.

Gattuso u bë protagonist i një zënke me zëvendëstrajnerin e Tottenham-it, Joe Jordan, gjatë dhe pas ndeshjes së Champions League. Ai e kapi për fyti dhe e shtyu në një episod të ndodhur gjatë lojës, ndërsa tentoi ta godiste pas përfundimit të takimit.

Sipas mediave italiane, Jordan e provokoi duke e sharrë në skocisht. Gattuso flet rrjedhshëm këtë dialekt të anglishtes, që nga periudha e kaluar tek Glasgow Rangers, në fillimet e karrierës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA