Dinamo “dorëzon” ambjentet

17/02/2011 13:20

Agjensia e Sporteve tashmë kalon edhe konkretisht në ambientet e klubit Dinamo.

Edhe pse muaj më parë kishin rënë dakord për kalimin e ambienteve, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, për kalimin e pronësisë së tyre nga Ministria e Brendshme te Ministria e Sporteve, sërish ka pasur një problem ku këtë herë është dashur edhe ndërhyrja e policisë.

Klubit Dinamo i ishte kërkuar që të dorëzonte të gjitha ambientet brenda datës 15 shkurt, por kjo gjë nuk është respektuar e mbi të gjitha drejtuesit e Agjensisë së Sporteve nuk janë lejuar fillimisht të futen në ambientet e klubit. Më pas, me ndërhyrjen e policisë gjithçka është zgjidhur edhe pse drejtuesit e klubit Dinamo nuk kanë qenë të pranishëm.

Tashmë në zbatim të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, ambientet e klubit Dinamo, përveç atyre, i takojnë edhe Agjensisë së Sporteve, drejtori brenda Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Këto ambiente do të shfrytëzohen për kalimin e federatave që aktualisht i kanë zyrat në stadiumin kombëtar Qemal Stafa dhe për palestra e ambiente për sporte të ndryshme.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA