Cilat janë skuadrat e futbollit që bëjnë lojën më të bukur në Europë? Përgjigja është e thjeshtë, Barcelona dhe Arsenal. Po të tjerat? “Yahoo.it” publikoi sot një renditje të 10 skuadrave europiane, ndeshjet e së cilave ia vlen gjithmonë të ndiqen.
1. Barcelona – Një ekip që mban mesatarisht topin 73% të kohës në kampionat dhe Champions, Barcelona ka gjetur kombinimin perfekt me Messi, Iniesta, Xavi e Villa, duke qenë në gjendje të japë leksione për futbollin në çdo ndeshje që zhvillon.
2. Arsenal – Loja e bukur dhe sulmuese e Wenger-it është pika e fortë, por njëkohësisht edhe e dobët e “topçinjve”. Aq i pritur është Arsenali drejt lojës së bukur, sa që nuk mund të bëjë një ndeshje “të pisët” as atëherë kur duhet.
3. Borussia Dortmund – Kryesues surprizë të Bundesligës, një ekip e përbërë pothuajse tërësisht nga djem të rinj, Borussia është në gjendje të sulmojë dhe të mbrojë me 11 lojtarë, ndërsa kombinimet e dyshes Kagawa-Sahin janë gjithmonë spektakolare.
4. Villareal – Juan Carlos Garrido ka vazhduar punën e paraardhësit të tij, Manuel Pellegrini-t, ndërsa në 38 ndeshje në drejtimin e klubit ka fituar 75 pikë. Edhe pse Villareal luan me një sulmues, pesë mesfushorët pas janë një spektakël i vërtetë për t’u parë.
5. Lille – Për momentin, është skuadra më e fortë në Francë, aq sa po fiton pseudonimin e “Barçës së Veriut”. Lille ka një strukturë të ngjashme me katalanasit, dy sulmues që nuk gabojnë pothuaje kurrë dhe mesfushorë shumë të fortë fizikisht e teknikë.
6. Palermo – Skuadra e parë italiane në këtë listë, pjestare e një kampionati si Seria A, ku loja e bukur vlerësohet shumë pak në krahasim me rezultatet. Javi Pastore është truri i vërtetë i një skuadre që vrapon dhe fantazon gjatë të gjithë kohës.
7. Udinese – Friulanët janë ndër surprizat e këtij sezoni të Serisë A. Pas një fillimi shumë të keq, nëpërmjet lojës së tyre entuziaste dhe një sulmuesi që nuk gabon kurrë, si Di Natale, kanë arritur të mposhtin gjigantët e kampionatit, Interin, Juventusin dhe barazuan me Milanin.
8. Mainz – Një skuadër e vogël gjermane, por që është ende në garë për një vend në Champions League. Me një buxhet shumë të kufizuar, trajneri Thomas Tuchel ka ndërtuar një skuadër nga më entuziastet, në gjendje të sfidojë skuadra shumë më të mëdha. Kurioz fakti që në këtë kampionat, asnjë futbollist i tyre nuk është përjashtuar ende
9. Blackpool – Skuadra e vogël e Premier League luan një futboll shumë argëtues, me një formacion që i afrohet shumë skemës 4-2-4. E aftë të luajë pa frikë ndaj më të mëdhajave, Blackpool mund të krenohet me fitoren 5-3 në fushën e Evertonit apo disa suksese me të mëdhenjtë, si me Liverpool-in.
10. Lorient – E ngjashme me Lille, por një shkallë më poshtë. Trajneri Christin Gourcuff, babai i futbollistit me të njëjtin mbiemër, luan gjithmonë për fitore. Sipas tij, barazimet janë tërësisht të pavlera në futboll.
Top Channel