Deri mesditën e premte, Komisioni Europian nuk ishte informuar ende zyrtarisht mbi incidentin e një nate më parë në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që nuk e pengoi zëdhënësen, Natasha Batler të japë një qendrim paraprak bazuar në raportimet e mediave.
“Ne kemi pareë raportimet e shtypit në lidhje me incidentet që sapo përmendët. Në momentin që këto ngjarje do të na konfirmohen edhe zyrtarisht, atëherë ne shprehim keqardhje. Është e qartë se diskutimet në parlamentin shqiptar duhet të zhvillohen në një mënyrë harmonike me aspiratat europiane të popullit shqiptar dhe është përgjegjësia e autoriteteve politike shqiptare që të rivendosin një dialog politik konstruktiv, në mënyrë urgjente”, tha zëdhënësja e KE-së, Natasha Batler.
Në lidhje me zgjedhjet lokale, Batler këmbënguli në kryerjen urgjente të reformës elektorale.
“Nuk kam komente të veçanta për të bërë në lidhje me zgjedhjet e njërës apo tjetrës parti. Është e qartë dhe e rëndësishme që një dialog politik konstruktiv duhet vendosur në mes mazhorancës dhe opozitës. Gjërat janë thënë shumë qartë edhe në një letër që kam përmendur më parë në lidhje me kuadrin ligjor, nëpërmjet të cilit duhen zhvilluar zgjedhjet lokale të vitit 2011. Siç e dini gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Shqipëria nuk përmbushi të gjitha kriteret ndërkombëtare. Raporti i OSBE-së pati bërë një numër rekomandimesh dhe ne presim gjithnjë që Shqipëria të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Është me të vërtetë diçka që ne e presim prej shumë kohësh dhe që populli shqiptar e pret prej shumë kohësh. Është e rëndësishme që zgjedhjet lokale të muajit maj të përmbushin vënien në jetë të këtyre rekomandimeve dhe mbi të gjitha që të përputhen me standaret ndërkombëtare dhe europiane. Shqipëria është një vend potencialisht kandidat ndaj duhet që kuadri ligjor të respektohet dhe që të jetë një kuadër ligjor konform standarteve ndërkombëtare. Pra ka një reformë që duhet bërë dhe ne presim që legjislacioni shqiptar të reformohet. Këtë gjë Komisioneri Shtefan Fyle e bëri të qartë në një letër, kështu që është e rëndësishme që kjo të bëhet në mënyrë urgjente”, tha Batler.
Natasha Batler u pyet për plot 11 minuta mbi mundësinë që Tirana të vizitohet nga Ashton e Fyle, por ajo shpjegoi se të dy zyrtarët e lartë të BE-së kishin rënë dakort dhe kishin përgatitur bashkë reflektimin përpara dërgimit të Miroslav Lajçak. Komisioneri për Zgjerim, sipas saj, do të vizitonte Tiranën vetëm në rast të ftesës zyrtare nga qeveria dhe opozita.
“Ne e kemi thënë shumë qartë, se është me të vërtetë e rëndësishme që autoritetet shqiptare ta kuptojnë se është gjithashtu përgjegjësia e tyre që të japin prova të pjekurisë politike, që të ulen me qetësi rreth një tavoline, dhe që të shohin drejt të ardhmes, të reflektojnë për interesat e popullit shqiptar dhe që të përqendrohen rreth interesave të popullit shqiptar dhe të perspektivës europiane të shqiptarëve si dhe të kuptojnë se ky duhet të jetë prioriteti i tyre i parë. Pra këto janë gjëra që autoritetet shqiptare duhet t’i bëjnë vetë dhe janë shumë të qarta. Në një letër ne ju kemi treguar autoriteteve shqiptare se është shumë e rëndësishme të rivendosin dialogun në mes dy partive, të zhvillojnë mjete për të pasur një dialog konstruktiv, të vënë në jetë rekomandimet e OSBE-së në mënyrë që të zbatohet reforma e legjislacionit zgjedhor. Dhe ne kemi treguar dhe gatishmërinë e Komisionerit që të shkojë atje, nëpërmjet një ftese nga të dyja partitë, njëkohesisht nga qeveria dhe nga opozita. Pra gatishmëria e Bashkimit Europian për të vizituar Shqipërinë në nivelin e një Komisioneri për Zgjerim është shumë e qartë dhe është bërë e ditur më 18 janar. Pra nëse do të ketë një përgjigje, edhe ne do t’i përgjigjemi këtij angazhimi që kemi marrë”, u përgjigj Batler.
Ndërkohë burime pranë kabinetit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së rrëfyen për Top Channel se baronesha Ashton planifikon të vijë së afërmi në Tiranë. Vizita e saj ende nuk është parashikuar zyrtarisht në axhendë dhe një udhëtim i tillë, sipas të njëjtave burime, nuk parashikohet të bëhet gjatë javës së ardhshme.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel