Brozi: Berisha s’njeh institucionet

11/02/2011 21:50

Ish krytari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi, në një intervistë për VOA ka akuzuar kryeministrin Berisha me të cilin ka punuar në fillimit të viteve 1990.

Ai deklaroi se kryeministri nuk njeh institucionet dhe kërkon atje njerëz që t’i binden vetëm urdhërave të tij politik.

“Kur shteti vret qytetarin e vetë, ajo qeveri nuk meriton të qëndrojë më as edhe një ditë. Është një kontratë, qeveria është për t’i shërbyer popullit. Në momentin që qeveria kthen armët kundër popullit, ajo qeveri duhet të bjerë. Për fatin e keq në Shqipëri ka 20 vjet që menduam se shembëm një diktaturë, por ngritëm një neodiktaturë, madje shumë të egër”, deklaroi Brozi.

“Unë nuk do isha këtu nëse në Shqipëri do ishte respektuar pavarësia e sistemit gjyqësor. Nuk do isha emigrant. Nuk do ishin hequr që nga 1992 e deri më sot të gjithë prokurorët e përgjithshëm. Unë mendoj se më 21 janar nëse do ishte realizuar plani i pushtetit ekzekutiv, për të nënshtruar prokurorinë dhe institucionet e pavarura, atëherë unë sot jam i bindur se nuk do të kishim një diktaturë në Shqipëri, por një tirani”, tha ai.

“Përshëndes në mënyrë të veçantë prokuroren Ina Rama e cila po bën atë që duhet, pikërisht për atë që është emëruar: për të bërë hetime korrekte, të gjithanshme, gjithpërfshirëse, pa u sugjestionuar nga tentativa absurde e kryeministrit që na hiqet si ekspert mjeko-ligjor, si ekspert kriminalistik. Prokuroria nuk duhet të ndikohet”, është shprehur Brozi.

“Një kryeministër që del në televizor dhe flet për katër të vrarë duke qeshur, duke shumëfishuar sa herë se do të vrasë jo 3, por 30, 300”, theksoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA