Katër gardistë, nga gjashtë të shoqëruar në ambientet e Policisë së Qarkut të Tiranës në mbrëmjen e sotme, në kuadër të hetimeve për 21 janarin, janë vënë nën pranga.
Të arrestuarit, Sadik Çela, Agron Malaj, Maks Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj, janë nënoficerë të rolit bazë, të cilët dyshohen nga prokuroria se kanë shpërdoruar detyrën në datën 21 janar gjatë protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë katër persona.
Për katër gardistët gjykata ka dhënë masën e arrestit në mungesë me 30 ditë burg, pas kërkesës së bërë nga prokuroria.
Efektivat e Gardës së Republikës janë thirrur mbrëmjen e së premtes rreth orës 20.00, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, ku edhe janë njohur me vlerësimin e masës së sigurisë që gjykata ka bërë për ta.
Prokuroria, ndryshe nga dy arrestimet e mëparshme, ka siguruar më parë provat dyshuese ndaj gardistëve në gjykatë dhe më pas ka bërë edhe ndalimin e tyre.
Dorëzimi i gardistëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka sjellë një situatë tensioni. Pas marrjes së lajmit për shoqërimin e gjashtë oficerëve, pranë rrugës dhe hyrjes qendrore të policisë, janë mbledhur një pjesë e madhe e kolegëve të tyre.
Disa ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, u arrestuan edhe dy oficerë madhorë të Gardës së Republikës për të cilët Gjykata e Tiranës ka vlerësuar masën e sigurisë së arrestit me burg.
Top Channel