Pas arrestimit gjatë javës të dy oficerëve, edhe gjashtë gardistë të tjerë janë shoqëruar në orët e mbrëmjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. (UPDATE)
Prokuroria ka thirrur në pyetje në Policinë e Tiranës, katër gardistë të rolit bazë dhe dy oficerë madhorë të Gardës së Republikës në lidhje me hetimet e vrasjes së katër personave.
Rreth orës 20:00 janë thirrur për t’u marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Qarkut Tiranë, shefi i Shtabit të Gardës, major Artan Hoxha, komandanti i njësisë numër 2, kolonel Dashamir Shehu si edhe katër anëtarë të tjerë të efektivit.
Prokuroria nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me të shoqëruarit gjatë mbrëmjes së të premtes, ndërkohë që ata vazhdojnë të merren në pyetje.
Burime të pakonfirmuara ende zyrtarisht thonë se dy prej të shoqëruarve, dy oficerët madhorë të Gardës mund të ndalohen zyrtarisht. Shoqërimi i gjashtë gardistëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka sjellë një situatë tensioni.
Pas marrjes se lajmit për shoqërim të gjashtë oficerëve, pranë rrugës dhe derës qendrore janë mbledhur një pjesë e madhe e kolegëve të tyre kanë qenë përpara portës kryesore të policisë, në pritje të përfundimit të seancës së pyetjeve nga prokurorët e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët kryesojnë hetimet për vrasjen e katër personave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës së opozitës më 21 janar të këtij viti.
Top Channel