Kthehen eshtrat e Dom Nikollë Kacorrit

10/02/2011 17:35

96 vjet pas vdekjes janë kthyer në Shqipëri eshtrat e Dom Nikoll Kacorrit, klerikut katolik që ishte firmëtar i deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe zëvendëskryeministri i parë në qeverinë e Shqipërisë së pavarur.

Ka qenë një iniciativë e Pjetër Logorecit, shkodranit që jeton prej vitesh në Austri, për të bërë të mundur gjetjen e varrit dhe më pas ndjekjen e gjithë procedurës së zhvarrimit dhe riatdhesimit të eshtrave të Dom Nikollë Kacorrit, me mbështetjen e misionit katolik të shqiptarëve në Vjenë, ambasadës sonë atje, si dhe të një instituti austriak që mbështeti financiarisht të gjithë këtë projekt.

Kërkimet kanë zgjatur disa muaj dhe para nisjes në Shqipëri, misioni katolik në Vjenë organizoi një meshë përkujtimore në nder të Dom Nikollë Kacorrit, me ligjërime nga jeta dhe aktiviteti i patriotit të madh shqiptar.

Eshtrat e Dom Nikollë Kacorrit kanë mbërritur në Atdhe për t’u prehur pranë atyre të Vincens Prenushit, në Kishën Katolike të Durrësit, ku u mbajt dhe mesha e rastit.

Dom Nikollë Kacorri njihet për veprimtarinë patriotike dhe kishtare. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të shpalljes së Pavarësisë dhe numri dy i qeverisë së parë qe doli pas shpalljes së saj në Vlorë. Gjatë diktaturës figura e tij u la në hije, për të rimarrë vendin që i takon në historinë tonë.

Për afro 24 vjet Dom Nikolla, njeriu që gjithnjë bënte thirrje për predikimin në gjuhen shqipe, shërbeu si famullitar i Kishës Katolike të Durrësit, pranë së cilës do të prehen këtej e tutje eshtrat e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA