Me kalimin e viteve Oltë Xheladini rritet. Para katër vitesh, ai nuk kuptonte se përse iu vra i ati në kryeqendër të Kosovës.

Tani ai i thur edhe vargje të atit, Arbenit. Një porosi e shkruar prej tij, të cilën e përcolli i gjyshi, solli shumë dhimbje tek të gjithë ata që bënë homazhe tek varrezat, ku u shënua katër-vjetori i vrasjes së dy protestuesve të Vetëvendosjes me 10 shkurt 2007.

“Në emër të Oltit të vogël, i cili ka dashur të thotë këto fjalë: Mirëse keni ardhur, ju jam mirënjohës që keni ardhur këtu. Ju kam të gjithëve të mitë”, u shpreh Shaban Xheladini, babai i Arbenit.

Plumbat e policëve rumunë lanë të vrarë Arben Xheladinin dhe Mon Balaj dhe plagosën më shumë se 80 protestues. Nga ajo ngjarje e deri më tani për aktivistët e Vetëvendosjes qëllimi për të cilin ranë Moni e Arbeni ende nuk është jetësuar.

“Po vijmë këtu të të themi se ne po vazhdojmë të ecim drejt vetëvendosjes, drejt lirisë, drejt së ardhmes për Oltin e vogël dhe gjithë fëmijët e kombit”, deklaroi Liburn Aliu, aktivist i Vetëvendosjes.

Katër vite më pas, familjarë e qindra qytetarë përkujtuan dy të vrarët Arben Xheladini e Mon Balaj, të vrarë në demonstratën e 10 shkurtit. Udhëheqësit e Vetëvendosjes nderuan dy viktimat.

Ndërkohë, me kalimin e viteve për familjarët dhimbja po bëhet edhe më e rëndë. Ata kërkojnë mbështetjen e institucioneve në mënyrë që autorët e vrasjes të sillën para drejtësisë.

“Ata kanë imunitet dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë. As qeveria e vendit tonë nuk po na përkrah. Në këtë situatë, kush na pyet neve”, u shpreh Arlinda Xheladini, bashkëshortja e Arbenit.

Lidhur me demonstratën e 10 shkurtit, ende asnjë fajtor nuk është nxjerrë para drejtësisë. Policët rumunë u larguan nga Kosova pa dhe asnjë lloj përgjegjësie. Por, mbrapa lanë peshën e dhimbjes tek fëmijët dhe familjarët, të cilët nuk rreshtin duke kërkuar drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA