Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në një takim me gjyqtarë në Gjirokastër ka tërhequr vëmendjen për numrin e madh të vendimeve për ndryshim kombësie nga shqiptarë në grekë të gjykatave në jug.
Sipas tij, që prej vitit 2004 ka pasur rreth 1600 kërkesa të tilla në gjykatën e Gjirokastrës dhe 469 në atë të Përmetit.
“Është një cështje shqetësuese. Gjyqtarët shprehën një shqetësim të thellë. Ata janë ushtarë të ligjit, por shprehën rezerva për mënyrën se si ligjvënësit shqiptarë në vitin 2003 kanë miratuar ndryshimet për gjendjen civile vetëm me një nen, që hapte dritaren për ndryshimin e kombësisë”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas Spahiut, vetë ligji i miratuar në vitin 2003 ka krijuar hapësirë ligjore për kërkesa të tilla të motivuara me pasaktësi në dokumentacion.
“Jemi në prag të regjistrimit të popullsisë, ku një nga komponentët është edhe kombësia. Së pari, kombësia nuk mund të vetëdeklarohet, por duhet të provohet me vendim gjyqësor dhe nga ana tjetër një ndryshim masiv i kombësive shkakton probleme me rendin dhe sovranitetin kushtetues në vend”, ka theksuar Spahiu.
Efektet prapavepruese të ligjit të Gjendjes Civile nr.1029 janë mjaft serioze jo vetëm në gjykatën e Gjirokastrës, por në shumë gjykata të tjera shqiptare.
Nënkryetari i KLD-së tha se do të rishikohen të gjitha vendimet e dhëna gjatë 5 viteve të fundit, ndërsa do të procedohen penalisht të gjithë gjyqtarët që kanë dhënë vendime të padrejta.
Top Channel