Në një përpjekje të fundit për të luftuar emigracionin ilegal qeveria greke ka vendosur me anë të një vendimi ndërministror të vendosë gjoba tepër të rënda, për të gjithë biznesmenët që punësojnë emigrantë të paligjshëm.
Shuma e këtyre gjobave do të variojë nga 3 mijë deri në 15 mijë euro, sipas numrit të emigrantëve ilegalë që do kapen duke punuar.
Vendimin e kanë nënshkruar në mënyrë të përbashkët pas mbledhjes së kabinetit qeveritar zv/ministrja e Punës dhe e Sigurimeve Shoqërore, Ana Dalara si dhe zv/ministrja e Brendëshme Theodhora Tsakri.
Athina zyrtare beson se përveç se do të arrijë me këtë vendim të detyrojë një pjesë të mirë të emigrantëve ilegalë, të braktisin Greqinë, do të fillojnë të mbushen edhe arkat e shtetit për arsye se do të reduktohet puna e zezë, prej së cilës organet e taksave si dhe skemat e sigurimeve sociale dhe shëndetësore humbasin miliona euro.
Vendimi pritet të prekë përveç emigrantëve nga Afrika dhe Azia edhe shumë emigrantë shqiptarë të cilët ende në vorbullën e burokracisë greke, presin rinovimin apo marrjen e lejeve të qendrimit, duke ngelur në këtë mënyrë pa punë dhe duke ju lënë si alternativë të vetme largimin nga Greqia.
Top Channel