Kompania amarikane e prodhimit të makinave, Ford, lajmëroi për nisjen e një procesi gjyqësor ndaj Ferrari-t, për dhunimin e të drejtave të autorisësisë.
Lajmi u konfrimua nga zyrtarë të të dy kompanive më parë gjatë ditës. Makina e re e “kokëkuqes” quhet F150, i njëjti emër që mban edhe një kamionçinë e famshme e Ford-it.
”F-150 është një markë e rëndësishme dhe popullore e regjistruar në pronësinë e Ford-it, që i referohet serive të prodhimit F, gamës lider në prodhimin e kamionçinave që prej 34 vitesh”, shkruhej në një deklaratë të kompanisë amerikane.
”Kompania jonë ka arritur të nxjerrë përfitime të pallogaritshme nga marka F-150, por puna jonë serioze në dekada është vënë në rrezik nga përdorimi i të njëjtit emër prej kompanisë Ferrari”.
Dy javë më parë, skuadra e Maranello-s prezantoi makinën e re të quajtur F150, me F që është shkurtimi i Ferrari-t dhe 150 që i referohet përvjetorit të bashkimit të Italisë.
Shtëpia italiane e prodhimit të makinave iu përgjigj akuzave me një komunikatë: “Ne i kemi bërë të qartë më parë Ford-it arsyet dhe domethënien e këtij emërtimi. Njëkohësisht, i kemi siguruar se nuk do të përdorim asnjëherë siglën F150 për efekte komerciale”.
Pas prezantimit të çështjes në gjykatë, do të jetë kjo e fundit ajo që do të vendosë se cila nga dy shtëpitë e prodhimit të makinave ka të drejtë.
Top Channel