Partia Demokratike ka propozuar dhe më pas miratuar njeriun kyç të sistemit bankar, me detyrë kryeinspektor te Banka e Shqipërisë.
Zonja Elivar Golemi, ishte kandidate për pozicionin e inspektorit të përgjithshëm, propozuar nga kreu i grupit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, e cila mori votat e anëtarëve demokratë në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Ajo do të mbajë edhe postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, duke zëvendësuar kështu zonjën Teuta Baleta.
Fakti që mbledhja e komisionit u zhvillua në orët e vona të pasdites, pa praninë e medias dhe në mungesë të opozitës, krijon dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së kryeinspektorit, i cili jo vetëm që mban nivelin më të lartë hierarkik të Bankës së Shqipërisë, por do ta ushtrojë detyrën e re për një afat 5-vjeçar.
Deputetët e opozitës, anëtarë të komisionit, të pyetur nga “Shqip” janë shprehur të habitur për votimin, duke u gjendur para një fakti të kryer. Por i pyetur nga gazeta, deputeti Sherefedin Shehu thotë se, votimi ishte përcaktuar qartë në kalendar dhe se opozita ishte njoftuar.
Kryetari i komisionit, deputeti i PD-së, Edmond Spaho, deklaron se “kandidatura për inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, ka ardhur si propozim i Patozit, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, mbështetur në nenin 54 të ligjit me nr. 82/69 ‘Për Bankën e Shqipërisë’ dhe rregulloren e Kuvendit. Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së u propozua zonja Elivar Golemi si inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë”.
Inspektori i Përgjithshëm drejton Departamentin e Kontrollit të Bankës së Shqipërisë dhe propozon inspektorët e këtij departamenti.
Ka për detyrë të ushtrojë kontroll kontabël të brendshëm, kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë.
Të kontrollojë dhe t’i paraqesë Këshillit Mbikëqyrës raporte, rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, gjithashtu edhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e BSH-së.
Të kontrollojë raportin periodik, financiar dhe dokumentet e lidhura me to të Bankës së Shqipërisë, nëse janë përgatitur në mënyrën e duhur, të nxjerrë certifikatë për këtë qëllim.
Sikurse shihet nga funksionet, kryeinspektori luan rol të rëndësishëm në Bankën e Shqipërisë dhe jo vetëm, pasi ushtron kontroll edhe te bankat e tjera mbi mënyrën se si veprohet me pagesat në sistem etj.
Elivar Golemi, ka lindur dhe rritur në Shkodër, ku edhe është diplomuar në universitetin “Luigj Gurakuqi”, për drejtësi, ndërsa më herët ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, Tiranë.
Pas eksperiencës si pedagoge në Universitetin e Shkodrës, Golemi ndryshon funksion, ku në vitin 2002, vjen në Tiranë për të punuar në privat (OJF), dhe më pas, në 2003-n, fillon punë në Bankën e Shqipërisë. Golemi e cilëson fat punën e re te BSH-ja, pasi sipas saj, “nuk është e lehtë për të hyrë në këtë institucion”.
Funksionet e saj te Banka Qendrore lidhen kryesisht me kontabilitetin, pasqyrat financiare.
Në 2007-n, pas ristrukturimit, Golemi emërohet përgjegjëse sektori në Departamentin e Sistemeve të Pagesave, detyrë që e mbante derisa u zgjodh nga Kuvendi, më 2 shkurt si kryeinspektore dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.
Top Channel