Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thommas Countryman deklaroi se ka ardhur në Maqedoni për të diskutuar lidhur me shqetësimet “e sinqerta” që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe lirinë e mediave.

“Ne nuk qortojmë kryeministra. Ne e ndajmë këtë shqetësim, ndërsa gjithmonë mes vendeve mike ka edhe tema tjera për bisedime”, deklaroi Countryman.

I pyetur nëse administrata amerikane mbështet zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, zyrtari i lartë theksoi se nuk ka komente mbi këtë cështje, e cila sipas tij, është një cështje e brendshme me të cilën duhet të ballafaqohet lidershipi politik në vend.

Më tej Countryman pranoi se në takimin me kryeministrin Gruevski ka biseduar edhe për kontestin e emrit.

“Është vështirë të vish në Shkup dhe të mos bisedosh për cështjen e emrit. Edhe njëherë do të përsëris qëndrimin se SHBA nuk janë drejtpërdrejt të përfshira në negociata, por ne përshëndesim takimet e dy kryeministrave, të cilët drejtpërdrejt po bisedojnë për problemin. SHBA shpreson se ky proces do të mbyllet me një zgjidhje, por ne nuk bëjmë parashikime dhe nuk përzihemi në negociata”, deklaroi Countryman.

Countryman pas takimit me Gruevskin po vijon takimet me kreun e LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Ai nuk do të takojë asnjë nga liderët e opozitës shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA