Zgjedhjet, Veliaj: Ka probleme me te medha se rekomandimet e OSBE-se

09/02/2011 18:45

Partia Socialiste nuk ka ndërmend të zbatojë rekomandimet e OSBE-së për zgjedhjet lokale, përderisa ka kushte më të rëndësishme për të plotësuar.

Lajmin e ka bërë të ditur koordinatori i PS, Erjon Veliaj, i cili në një intervistë për VOA është shprehur se opozita nuk do pranojë një skenar të ngjashëm me atë të zgjedhjeve të vitit 2009.

“Ka një listë kërkesash të PS që janë më të rëndësishme se emrat e përvecëm. Besoj se OSBE, që sugjeron emërimin e komisionerëve, duhet të shohë edhe realitetin. Disa gjëra nuk bëhen vetëm nga zyra, por edhe nga realiteti shqiptar. Nëse do ftohemi të bëjmë të njëjtin teatër si ai i vitit 2009, ne nuk jemi dakord”, ka deklaruar Veliaj, i cili ka përjashtuar në mënyrë kategorike opsionin e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës.

“PS menaxhon shumicat e zonave të shqiptarëve dhe nuk ka asnjë dyshim që do marrë pjesë në zgjedhje”, ka pohuar Veliaj.

Më tej, i pyetur lidhur me bashkimin e ish-ministrit Dritan Prifti me tryezën e opozitës, ish-drejtuesi i Mjaft ka sqaruar se videoja-skandal Prifti-Meta ka treguar se ish-ministri i METE ndërmerrte veprime korruptive pasi ndodhej nën urdhërat e ish-shefit të tij.

“Akuzat tona kanë shkuar në prokurori, zoti Prifti ka treguar që po bashkëpunon me prokurorinë dhe përmes videos së publikuar ka dalë që shumë gjëra ai i bënte nga urdhërat e shefit të tij me bllok”, ka nënvizuar Veliaj.

Duke komentuar protestat e 21 janarit, Veliaj ka shtuar se PS dënon dhunën e ushtruar, madje edhe atë nga protestuesit, të cilëve nuk u ka dhënë asnjë mbështetje politike.

“Ne nuk kemi dhënë asnjë mbrojtje politike për këdo që ka ushtruar dhunë. 113 protestues u arrestuan dhe PS ka shkuar në prokurori për të bashkëpunuar në hetime. Kjo tregon se s’ka pasur mbështetje politike”, ka shtuar Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA