Milani ka vendosur që të presë muajin e prillit për të biseduar për rinovimet e kontratave që janë në skandencë, por ndërkohë ka nisur një ankand i vërtetë europian për yje si Pirlo.
Në bazë të rregullores së FIFA-s, lojtarët që janë në 6-mujorin e fundit të kontratës së tyre, janë në gjendje të bisedojnë lirisht me secilin klub, pa marrë miratimin e skuadrës ku janë të kontraktuar.
Ndërsa janë disa futbollistët në skandencë tek kuqezinjtë, ai që ka ngjallur më shumë interes është Andrea Pirlo. Për të, Valencia dhe Atletico Madridi kanë shprehur interesimin e tyre, por ka edhe zëra që thonë se edhe Barcelona e Reali e ndjekin, pavarësisht se në maj do të mbushë 32 vjeç.
Midis pretendentëve të huaj është përfshirë edhe Manchester City i Roberto Mancini-t, por ka edhe disa skuadra të tjera angleze që janë të gatshme të bëjnë një sakrificë për të.
Megjithatë, një Pirlo me kosto zero po ngjall shumë interes edhe në tregun e brendshëm. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Interi, Juventusi dhe Roma po shqyrtojnë mundësinë e paraqitjes së një oferte. Mundësia e rikthimit të Ancelotti-t tek klubi kryeqytetas mund të favorizojë verdhekuqtë në arritjen e marrëveshjes.
Në takimin e agjentit të tij me adrministratorin e deleguar, Adriano Galliani, përpara pak ditësh, iu bë e qartë lojtarin se bisedimet e rinovimeve do të nisin me të gjithë në prill.
Problemi për arritjen e firmës është kontrata e lartë e futbollistit. Ai përfiton pesë milion euro në sezon, plus një në rast kualifikimi direkt në Champions dhe një më shumë në rast se fitohet titulli.
Paga e lartë e Pirlos bie ndesh me politikën e Milanit për të reduktuar shpenzimet.
Top Channel