Dhoma e Avokatisë ka thyer heshtjen tre ditë pasi gjykata e Tiranës fajësoi avokatët e 29 të pandeheurve të tragjedisë së Gërdecit për shtyrje procesesh e për pasojë skadimin e afateve të Dritan Minxollit, Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit e Sokol Ngjecit, duke treguar të vërtetën se përse dështoi gjykata për të dhënë një vendim brenda 12 muajve.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia tregon për TCH se përgjegjës kryesor është gjykata, që sipas tij, në bashkëpunim me prokurorinë dhanë kontribut që ky proces të zvarritej.
“Jemi në një proces kur ata janë në arrestim, që do të thotë se gjykata do vazhdojë procesin pa anësi dhe duke nxjerrë të vërtetën. Kam lënë mbrojtjen e Delijorigjit për të treguar shkeljet që ka bërë gjykata, e cila është bërë njësh me prokurorinë. Më bën të ndihem keq që asnjë nga analistët, specialistët dhe institucionet gjyqësore nuk reagojnë por e anashkalojnë faktin që, edhe sikur avokati ka si qëllim shtyrjen e afateve, nuk qëndron. Sepse sa herë që avokati mungon, gjykata nuk vendos shtyrjen e afateve”, deklaron Haxhia.
Zoti Haxhia i referohet në intervistë ecurisë së procesit, ku fillimisht tre muaj të afateve u harxhuan nga kalimi i dosjes nga Gjykata e Lartë në atë të Tiranës.
Më tej, sipas Haxhisë, ishin pushimet e gjykates dimerore dhe verore, si dhe një muaj tjetër sërish për shkak të gjykatës.
Avokati shpjegon se është kërkuar që dosja të ndahej për ushtarakët dhe civilet, pasi dosja ishte e fryrë në mënyrë artificiale, dhe të reduktohej numri i 400 dëshmitarëve.
“Avokatët kanë qenë të predispozuar. Nëse gjykata do kishte marrë parasysh kërkesat ligjore, procesi sot do kishte mbaruar edhe në Apel. Më vjen keq që në mënyrë djallëzore anashkalohen këto probleme në të cilat ndodhet drejtësia”, thekson Haxhia.
Kreu i Dhomës së Avokatisë shton se kur avokatët mungojnë, afatet e të paraburgosurve sipas ligjit nuk llogariten, c’ka rrëzon qëndrimin e qëllimishëm të gjykatës, e cila sipas zotit Haxhia do të fshehë të vërtetën.
Kreu i Dhomës së Avokatisë paralajmëron se, nëse nuk hiqet dorë nga sulmet ndaj avokatëve, së shpejti do kalohet në një grevë të përshkallëzuar.
“Dhoma Kombëtare e Avokatisë do mbajë qëndrim të përshkallëzuar deri në grevë, që t’u jepet fund presioneve dhe epiteteve që u bëhen avokatëve shqiptarë”, shton Haxhia.
Top Channel