Miqësoret ndërkombëtare do të risjellin sot përballje të mëdha me Francën që do të presë Brazilin, Italinë që do luajë me Gjermaninë dhe Portugalinë që do të sfidojë Argjentinën.
Francezët, të drejtuar nga Laurent Blanc, kanë një bilanc më të mirë në ndeshjet direkte zyrtare me Seleçaon, por situata është më e ekuilibruar në ndeshjet miqësore, me dy barazime në dy përballjet e fundit.
Gjermania e Loew-it do të kërkojë të fshijë nga kujtesa e tifozëve humbjen e dhimbshme në Botërorin 2006, pikërisht në të njëjtin stadium ku humbi në gjysmëfinale, në Dortmund.
”Mannschaft”-i do të kërkojë edhe suksesin e parë në 16 vjet përballë përfaqësueses italiane. Për këta të fundit, do të jetë testi më i rëndësishëm që pas ndërrimit të trajnerit pas zhgënjimit në Botëror.
Trajneri i ri, Cesare Prandelli, do t’i besojë që nga minuta e parë brazilianit të natyralizuar, Thiago Motta-s, në debutimin e tij me fanellën “axurre”.
Argentina dhe Portugalia janë ndeshur në pesë raste në histori. Katër ndeshje janë fituar nga argjentinasit dhe vetëm një nga “luzitanët”.
Interesantja e kësaj sfide është përballja e dy yjeve të futbollit botëror, Lionel Messi-t me Cristiano Ronaldo-n.
Në mbrëmje, do të jetë një shans i mire edhe për trajnerin Fabio Capello, për të rikthyer dashurinë me tifozerinë angleze. Përfaqësuesja e “tre luanëve” do të përpiqet të hakmerret me Danimarkën, e cila e ka mposhtur në dy përballjet e fundit mes tyre.
Top Channel