Femrat e pushtetshme janë bërë një fenomen gjithmonë e më i shpeshtë në kohët moderne dhe si fenomen, ai nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së emisionit të pasdites në Top Channel.
“Nëse dëshironi të thoni diçka në politikë, kërkoni një burrë. Nëse doni të bëni diçka, merrni një grua”. Kjo thënie e Margaret Thatcher sfidoi kohë më parë mendimin tradicional se femrat mund të fitojnë pushtet vetëm duke punuar në prapa skenë.
Bazuar në këtë vlerësim, revista amerikane “FORBES”, nisi në 2003-shin klasifikimin vjetor të “100 femrave më të fuqishme në botë”. Viti 2006 pa në krye të listës Kancelaren Gjermane, Angela Merkel.
Një vit më parë, ky titull i takoi Zonjës së Parë te Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama. Revista, e quajtur ndryshe si “Bibla” financiare e Shteteve te Bashkuara, bazohet tek përberja e imazit: shpeshtësia e shfaqjes së tyre në media dhe impakti që krijojnë në shoqëri.
Por, çfarë mund të thuhet për Shqiperinë, a ka një mekanizëm që mund të krijojë një klasifikim të tillë?.
”Në Shqipëri, ende nuk ekzistojnë sinkronet e sakta të matjeve”, thotë ekspertja Mirela Sulaj. “Vlerësimet kanë mbetur gjithmonë sporadike dhe të lidhura ngushtë me sondazhet e mediave të ndryshme.
Kanë mbetur vetëm përpjekje të vakta, për të treguar realisht fuqinë konkrete të një gruaje”.
Pavarësisht mungesës së insrumentave, ekzistojnë studime që bëjnë të mundur një hamendësim se deri ku “shtrihet pushteti i gruas ne Shqipëri” dhe sa menaxhohet ai.
”Ne kemi një Kryetar Kuvendi që është Zonja Topalli. Për mua, është padiskutim një nga Zonjat më të rëndësishme në Shqipëri”, thotë Altin Hazizi, nga CRCA.
”E njëjta gjë vlen edhe për Zonjën Bregu, e cila është Ministre e Integrimit. Integrimi është pjesë esenciale e punës së të gjithë qeverisë. Të caktosh një grua në këtë pozicion, do të thotë se i jep një pozicion shumë të rëndësishëm për të integruar apo çuar përpara këtë proces të vendit.
Kalojmë tek Zonja Leskaj, e cila është Kryetare e Komisionit të Medias. Është një Zonjë e jashtëzakonshme nëse ke parasysh që ka qenë pjesë e shoqërisë civile dhe tani është bërë pjesë e politikës”.
Në diskutimin për femrat lidere, merren parasysh tre pushtete, ekzekutivi, pushteti i influencës dhe shpirtërori. Gratë që renditen “të rëndësishme” në pushtetin e influencës janë dy.
”Unë do të vlerësoja shumë rolin dhe potencialin që ka Zonja Liri Berisha”, argumenton Sulaj. “E njëjta gjë vlen edhe për Zonjën Linda Rama, bashkëshorten e Zotit Edi Rama.
”Nëpërmjet martesës, ajo rriti në mënyrë të menjëhershme influencën e saj, por u vu re edhe një rritje e ndikimit të vetë Zotit Rama”.
Përfshirja e femrës në pushtetin ekzekutiv u vendos në qendër të debateve të vendeve perëndimore. Ky trend erdhi edhe tek ne, një proces imitimi që synonte emancipimin e politikës shqiptare.
Imitimi është imitim, do të thonin sociologët, por pasojat e kësaj përpjekjeje nuk duhen neglizhuar.
”Unë nuk jam i kënaqur kur shoh një disbalancë në një profeson që ka shumë më tepër gra apo burra”, shton Hazizaj.
”Një prej shkaqeve që politika në Shqipëri është kaq e dhunshme, lidhet ne faktin se ajo sot për sot zotërohet tërësisht nga burrat. Ajo që është tavolina e mendimeve, sot zotërohet nga burrat”.
Por, çfare fshihet pas grave që gëzojnë pushtet. Njëra prej tyre quhet Teuta Dobi. Aktualisht drejton një nga Universitetet Jopublike në Tiranë, me karrierë në jetën akademike, udhëheqëse njëkohësisht e disa prej investimeve të huaja në vend, suksesin e vet ia atribuon ketyre vlerave:
”Një femër duhet të ketë një vizion shumë të qartë se për ku do të arrijë dhe duhet t’i kushtojë rëndësi gjërave të përditshme. Ajo duhet të tregojë se ku dëshiron t’a çojë këtë institucion që i është besuar.
Nuk është e rëndësishme që një grua të tregojë vlerat e saj vetëm me vepra të mëdha, pasi më e rëndësishme është që ato të jenë të përditshme”.
Në këtë përsiatje të realizimit të vetvetes, Dobi bën përgjithësime. Ajo na tregon se çfarë duhet të ofrojë një grua kur kërkon të gëzojë pushtet:
”Një grua duhet të ofrohet me aftësitë e saj dhe ajo nuk duhet t’i japë absolutisht një mashkulli mundësinë që ai të pretendojë për privilegje gjinore”.
Gruaja e parë që u bë Kancelare e Gjermanisë, e klasifikuar si femra më e pushtetshme në botë pak vite me pare, është Angela Merkel.
Megjithatë, ajo nuk mbetet e vetmja që “ngriti” dallgë në skenën ndërkombëtare. Ne renditjen e revistes “Time”, për 25 femrat më të pushteshme të shekullit të kaluar ajo u klasifikua e 14-ta, pas Jane Addams-it, fituesja e parë amerikane e Çmimit Nobel për Paqen, Hillary Clinton-it, Marie Curie-t apo Indira Gandhi-t.
Megjithatë, derisa të imagjinohet një grua që të jetë Kryeministre apo Presidente e Shqipërisë, do të duhen të rrjedhin edhe shumë ujra.
Top Channel