“Qeveria e SHBA është e angazhuar të kontribuojë duke mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e kësaj situate në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi”.
Ka qenë ky mesazhi që zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thommas Countryman i ka përcjellë kryeministrit shqiptar Sali Berisha, në takimin e zhvilluar sot në Tiranë.
Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga zyra e kryeministrisë, duke vlerësuar si “jetike” pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, zoti Countrymen ka kërkuar gjithashtu një hetim profesional mbi ngjarjen e 21 janarit, që të përfshijë si dhunën ashtu edhe organizatorët e dhunës.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e garantoi zotin Countryman se drejtësia shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen, ndihmën dhe bashkëpunimin e qeverisë për zbardhjen e të gjitha përgjegjësive të ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit.
“Drejtësia e pavarur, e paanshme dhe gjithëpërfshirëse është dhe mbetet themelore për kapërcimin e kësaj situate”, ka deklaruar Berisha.
Kryeministri e siguroi zotin Countryman se komisioni hetimor parlamentar ka për qëllim të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 21 janarit dhe se të gjithë dokumentacionin, faktet dhe të dhënat që ai do të grumbullojë do t’ia dorëzojë prokurorisë për ta ndihmuar në hetim.
Berisha ka përsëritur gjithashtu variantin e tij për 21 janarin, duke aluduar se ishte opozita që tentoi të merrte me dhunë institucionet demokratike, duke rrethuar për pesë orë selinë e Këshillit të Ministrave, “me individë të paguar dhe me precedentë penalë”.
Ndër të tjera, dy zyrtarët kanë biseduar edhe për zgjedhjet lokale, lidhur me të cilat Countryman ka theksuar se ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme.
Kryeministri Berisha e ka siguruar zotin Countryman se qeveria do bëjë gjithcka që ato të jenë sipas standarteve të kërkuara.
Top Channel