Kjo nuk është një tjetër kronikë për rrjetin social FB.
Prej kohësh përdorimi i kësaj faqeje interneti i ka kaluar përmasat e epidemisë, mirëpo mes gjithë të mirave që ka sjellë, ndihma në hetimin e krimeve është ndër avantazhet më pozitive.
Luan Kondi, gazetar i kronikës së zezë në gazetën “Shqip” na tregon: “Ndihmon për të parë komunikimin e personave që janë të kërkuar nga policia dhe që nuk e dinë se janë në kërkim. Jam i sigurt që edhe policia e përdor rrjetin social.”
Nëse policia e përdor, një gazetar i kronikës së zezë e ka akoma më të nevojshëm, por në cilat rrethana?
“FB i vjen në ndihmë sidomos gazetarëve të kronikës, kryesisht në marrjen e fotove të personave që janë arrestuar”, shprehet Luan Kondi.
Gazmend Janku gjithashtu punon me kronikën e zezë dhe si çdo gazetar skepticizmin e ka shumë të theksuar.
“Nga ana profesionale, FB nuk e vlerësoj sepse nuk mund t’i marrësh si të mirëqëna të gjitha deklaratat apo fjalët e shkruajtura aty”, thotë Janku.
Por askush nuk mund ta mohojë ndihmën.
“Fakti që aty mund të ketë të dhëna për një viktimë, për miqtë e ngushtë të saj, për të afërmit e saj, për personalitetin e saj mund ta ndihmojë padyshim policinë”, shton Janku.
Kolegu Janku mban disa rezerva në përdorimin që një gazetar duhet t’i bëjë rrjetit të famshëm social: “FB mund të përdoret nëse bëhet fjalë për lajmet rozë. Aty ndihmon shumë sepse VIP-at publikojnë vetë, me dëshirën e tyre foto dhe informacione të ndryshme.”
Mirëpo në disa plagosje mes të rinjsh, FB ka qenë dhe zanafilla e konfliktit, çka e ka lehtësuar procesin e hetimit, por nëse vëllai i madh ju vëzhgon, kushëriri FB, bën që të tjerët t’ ju vëzhgojnë më shumë, sidomos policia.
Top Channel