
Do të përcaktohet sot axhenda e Parlamentit të ditës së enjte. Seanca e 10 shkurtit, pritet të përmbajë vendime të rëndësishme, dhe debate të ashpra lidhur me situatën politike në Tiranë.
Është parashikuar që në Konferencën e Kryetarëve të përfshihet në diskutim edhe kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për interpretimin e çështjes së daljes në pension të nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi.
Konferenca e Kryetarëve është parashikuar të zhvillohet mesditën e sotme, ndërkohë që mësohet se anëtarët e Partisë Socialiste nuk do të marrin pjesë për shkak të angazhimit të tyre në Lezhë, ku do t’i japin lamtumirën e fundit, Aleks Nikajt, që mbeti i vrarë nga një plumb në kokë.
Nuk dihet ende nëse Kryesia e Kuvendit do të marrë vendimin për të spostuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në ditët në vazhdim apo do ta kryejë atë sot.
Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë edhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për tri javët në vazhdim.
Javën e kaluar, Parlamenti shtyu punimet e tij për shkak të mospërfundimit të shqyrtimit në komisionet parlamentare të projektligjeve që ishin në diskutim, duke e justifikuar gjithçka dhe çdo vonesë me turin që deputetët e Kuvendit ishin në rrethe të shpërndarë në zonat e tyre elektorale.
Top Channel