Interi i Leonardos ka mundur 5-3 Romën në San Siro, 3 pikë të fituara këto që i ngjisin kampionët në fuqi në vendin e 3-të në klasifikim, duke u bërë së bashku me Napolin dy skuadrat që do të mbajnë nën presion Milanin kryesues.
Spektakli në këtë përballje nisi që në minutën e 3-të, kur hollandezi Shnajder kaloi Interin në avantazh. Sfida mbeti e hapur pasi në të 13 minutë, Simplicio barazoi shifrat. Pas këtij momenti, Zhulio Sezar shndërrohet në protagonist për pak minuta, pasi theu i vetëm aksionet e romanëve.
Në momentin më të mirë të tyre, Eto’ rikthen ndeshjen në favor të Interit me golin e shënuar në të minutën e 22-të.
Në pjesën e dytë Interi shënoi dhe 2 gola të tjerë, me Eto me 11 metërsh dhe Tiago Mota, ndërsa Roma u detyrua të luajë rreth 30 minuta me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Burdisos. U mendua se ndeshja tashmë kishte përfunduar, por golat e Vucinic dhe Loria mbajnë ende gjallë shpresat e Ranierit për një pikë në San Siro.
Por fjalën e fundit në këtë supersfidë e tha Kambiaso që vulosi rezultatin 5-3 për skuadrën e Leonardos, që tashmë konfirmohet si rivalja kryesore e Milanit, 5 pikë larg tyre dhe një ndeshje për të rikuperuar.
Top Channel