
Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, deklaroi përpara miqësores me Gjermaninë në Dortmund se Cassano-s po i jepet shansi i fundit në kombëtare, ndërsa komentoi shumë çështje të aktualitetit gjatë konferecës për shtyp.
Gjermania – “Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Do të më pëlqente që çdo vit të zhvillonim miqësore me kundërshtarë të tillë. Më vjen keq vetëm që shumë futbollistë janë të dëmtuar aktalisht, duke prishur disi bukurinë e sfidës”.
Kujtime – “Ndeshja me gjermanët në vitin 1970 është më e bukura e shekullit të shkuar, të paktën për mua. Më zgjuan natën për ta parë. Në finalen e Botërorit 1982 (gjithmonë kundër Gjermanisë) kisha shumë miq në fushë, ndërsa 2006-a na përfshiu të gjithëve. “Axurrët” e Lippi-t luajtën një futboll të mrekullueshëm”.
Motta – “E kemi ndjekur edhe atëherë kur Pirlo ishte i disponueshëm dhe ai nuk është një alternativë për Andrea-n. Kombëtares i duhet një mesfushor teknik, me cilësi dhe ai i ka këto të dhëna. Di të luajë në pozicione të ndryshme dhe kjo e bën edhe më të vlefshëm”.
Cassano – “Antonio ka dhënë një kontribut të mirë tek Milani deri tani. Për mua është një futbollist i rëndësishëm, edhe sepse ka kuptuar që për të kjo është mundësia e fundit dhe është i vendosur që të mos t’a shpërdorojë”.
Kampionati – “Besoj se do të shohim një duel deri në javën e fundit midis Milan-it dhe Inter-it. Në garën për titull mund të hyjnë edhe skuadra si Juventus, Roma e Napoli. Do të jetë një kampionat shumë emocionues deri në javën e fundit”.
Top Channel