Godo: S’ka kushte për zgjedhje të reja

07/02/2011 21:50

Kryetari i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo ka deklaruar se edhe pas 20 vitesh, shteti shqiptar vazhdon të jetë i paaftë të zgjidhë problemet e brendshme.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Godo është shprehur se ndërhyrja e faktorit të huaj në këtë moment është me energjitike se kurrë.

“Në 20 vjet na është dashur t’u bëjmë apel të huajve, na ndihmoni se nuk dalim dot vet. Kjo tregon një cedim të institucioneve, por ja që nuk bëkemi dot ndryshe. Kjo do të thotë se nuk jemi të zotë. Dhe unë shoh tek ky konflikt i krijuar mes palëve një ndërmjetësim energjik të të huajve”, ka deklaruar Godo, i cili ka nënvizuar se e kishte parashikuar një situatë të tillë.

“Unë e shikoja që punët nuk po ecnin në rrugën e mbarë dhe shkova përtej dhe thash se këtu duhet një ndërhyrje më e fortë e SHBA. Kjo, pasi BE ishte ezauruar. Pati një tentativë, u bë tryeza tek presidenti, por gjërat mbetën njëlloj dhe madje u përkeqësuan, duke parë ngjarjet e fundit”, ka pohuar Godo.

Sipas tij, situatën aktuale mund ta zgjidhë vetëm faktori ndërkombëtar, i cili edhe pse i rezervuar, ka dhënë mesazhin e qartë që problemin ta zgjidhë vetë klasa politike shqiptare.

“Tani presim që të vijnë nga jashtë të na nxjerrin nga kjo gjendje. Një deklaratë e ambasadorit amerikan, që bëhet në emër të DASH ose që ekspozon politikën amerikane ndaj vendit tonë, duhet të dëgjohet me vëmendje nga cdo shqiptar. Dhe unë mendoj se shqiptarët e morën mesazhin, që duhet t’i zgjidhni punët vetë dhe se vetëm bisedimet mund të cojnë diku”, ka saktësuar Godo.

Ai ka kritikuar edhe sulmet që qeveria iu ka bërë herë pas here mediave, të cilat sipas saj nuk kanë transmetuar si duhet ngjarjet e 21 janarit.

“Të përmendësh Top Channel dhe të lëshë pa përmendur media të tjera që janë militantë, nuk është e mirë. Mund të përmendësh këtu televizionin publik shqiptar, që vetëm publik nuk është”, është shprehur Godo.

Duke qendruar tek situata politike, ish-kreu i PR ka vlerësuar se aktualisht në partitë shqiptare mungon demokracia, gjë që sipas tij ndikon në mënyrë direkte tek shoqëria shqiptare.

“Demokracia e mirëfilltë mungon në të gjitha partitë shqiptare dhe kjo është e rëndësishme sepse ajo që ndodh tek partitë reflektohet tek qytetarët. Dhe ne nuk do të kemi një shoqëri demokratike nëse nuk do të kemi demokratizim të partive”, ka deklaruar Godo.

Ai ka nënvizuar se sheh një perspektivë pesimiste për zgjidhjen e problemeve të vendit, duke parë edhe kushtet që vendos opozita.

“Në situatën ku jemi, shqiptarët ndihen ngushtë, edhe për faktin se nuk shohin ndonjë zgjidhje të afërt. Themi, a do të takohen Berisha me Ramën për ta zgjidhur këtë situatë? Kemi një opozitë që vë kushte si: ne bisedojmë vetëm pa Berishën dhe ne bëjmë zgjedhje vetëm pa Berishën. Si mund të shkosh në bisedime me këto kushte? Berisha është i zgjedhur nga populli. Nisur nga pozicione të tilla të pakuptimta, vjen një pesimizëm që bën të pamundur zgjidhjen e situatës. Një gjuhë e tillë nuk të con në asnjë vend”, ka vlerësuar Godo.

Më tej, duke komentuar qëndrimet e opozitës, ai është shprehur kundër bojkotit të zgjedhjeve lokale dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, për shkak se mungon klima për realizimin e tyre.

“Do të ishte shumë e dëmshme për opozitën po të mos merrte pjesë në zgjedhje. Unë nuk e kuptoj këtë lloj politike të opozitës, që bojkoton Parlamentin dhe pastaj thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër unë them se vendi nuk është gati të hyjë në zgjedhje të parakohshme. E para sepse na mungon infrastruktura, nuk kemi ligjin zgjedhor që duhet ta korigjojmë, nuk kemi Kodin Zgjedhor që do na tregojë se si do votojmë dhe nuk është klima e duhur për të mbajtur zgjedhje. Vetë lajmi që do shkojmë në zgjedhje do na sillte në një paralizë 6 mujore”, ka shtuar Godo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA