Në këtë situatë krize politike, qëndrimit të opozitës i bashkangjitet edhe një tjetër forcë politike e cila deri në këto momente pati refuzuar të ishte pjesë e koalicionit të udhëhequr nga socialistët.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka kërkuar krijimin e një qeverie të re me bazë të gjerë e cila të përgatisë proçesin e ri zgjedhor i cili nuk duhet, sipas Dashamir Shehit të mbahet më vonë se mesi i vitit 2012.
Ndërkohë që, sipas tij, kjo qeveri duhet të realizojë edhe një sërë reformash që fillojnë nga ndryshimet kushtetuese tek hartimi i kodit të ri, reformën në drejtësi dhe rindarjen territoriale.
“Ne gjykojmë që kjo skemë që propozjmë i jep të gjitha palëve sigurinë e nevojshme për të vazhduar kontributin pozitivisht politikisht në jetën publike. I jep Kuvendit në rradhë të parë mundësinë për të vazhduar bërjen e ligjeve dhe për të përmbushur detyrimet integruese. Jep mundësinë për të mbyllur 2/3 e mandatit për të cilin janë mandatuar. I jep kësaj mazhorance sigurinë për të vazhduar me një kryeministër tjetër udhëheqjen e qeverisjes, ndërsa opozitarëve u jep garancinë e nevojshme dhe mjaftueshme për përfshirjen e tyre në qeverisjen e vendit”, është shprehur Shehi.
Sipas zotit Shehi, kjo është zgjidhja e vetme që do t’i jepte Shqipërisë një të ardhme europiane në të kundërt çdo lëvizje tjetër, sipas tij, do të fuste në një krizë edhe më të thellë vendin.
Top Channel