Meta, akuza Ramës

03/02/2011 16:40

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka akuzuar Edi Ramën që, sipas tij, po abuzon me fondet publike duke i përdorur për protestat dhe demonstratat.

“Qytetarët tanë gjithnjë e më shumë po bëhen dëshmitarë që bashkitë, që komunat taksat që paguajnë qytetarët tanë, po shkojnë nëpër mitingje, po shkojnë për të mbushur autobusa, po shkojnë për ra paguar njerëz, për të politizuar akoma më tej, çështje që zgjidhen përmes ligjit, zgjidhen përmes dialogut të institucioneve demokratike”, tha Meta.

Duke theksuar faktin se LSI-ja do të ketë kandidatë në të gjithë Shqipërinë në 8 maj, zoti Meta tha se fokusi më i madh do të jetë në Tiranë, ku, sipas tij, Edi Rama do të shënojë një humbje spektakolare.

“Ne jemi të gatshëm për të përballuar çdo lloj skenari destruktiv që kërkon të zgjasë mandate pushtetarësh vendorë në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese vetëm se nuk kanë kurajon dhe bilancin për t’u ballafaquar me votuesit e tyre për të cilët u përbetuan se do të zgjidhnin shumë probleme katër vjet më parë”, tha Meta.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se kjo forcë politike do të zhvillojë më shumë se 1 mijë takime në këto dy muaj përmes të cilëve do të synohet dyfishimi i rezultateve elektorale të LSI-së.

Në reagimin e saj, PS ka deklaruar se ish zëvendëskryeministri duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të provokojë shqiptarët me deklaratat në media.

“I kujtojmë Ilir Metës se vjedhjen, aferat dhe skandalet e dokumentuara me zë dhe me figurë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë një platformë e mirë elektorale për të fituar votat e popullit shqiptar. I kujtojmë atij që nëse i ka mbetur edhe një fije arsyje se për integritet dhe ndershmëri nuk bëhet më fjalë, Ilir Meta mund të bëjë të vetmen gjë që mund të bëjnë hajdutët e kapur me presh në duar, të shkojë tek drejtësia. Të lajë hesapet me ligjin dhe mbarë shqiptarët dhe më së paku të mos dalë dhe provokojë ata nëpër televizione”, tha deputetja socialiste, Olta Xhaçka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA