Miroslav Lajçak ka mbërritur në Tiranë për një tur tjetër takimesh me liderët politikë shqiptarë.
Lajçak ka zhvilluar vetëm një orë më parë takimin me kryetarin e shtetit, Bamir Topi, ndërsa në këto momente ka nisur edhe takimin tjetër në Kryeministri, me kryeministrin Berisha.
Në orën 16:30 zoti Lajçak do të takohet në selinë e Partisë Socialiste me liderin e opozitës, Edi Rama.
Nuk dihet ende përmbajtja e paketës që do t’u propozojë Lajçak palëve, por përpara ardhjes në Tiranë, ai do të shprehej në një intervistë për Top Channel se “do të përdorte kohën e tij për t’ju përcjellë liderëve politike shqiptare mesazhet e BE-së, pasi kishte një mandat të fuqishëm në emër të BE-së që më duhet ta çonte në Tiranë”.
“E dini shprehjen ‘duhen dy vetë për të bërë tango’. Mesazhi ynë është që ne jemi gati për t’ju ndihmuar. Zgjedhjet lokale të 8 majit duhet të përcjellin një mesazh shumë të fortë mbi aftësitë e institucioneve shqiptare për të bërë zgjedhje që arrijnë standardet europiane, përmbushin kriteret europiane”, u shpreh dy ditë më parë Lajçak.
Lidhur me hetimin e 21 janarit, qëndrimi i tij ishte i prerë pasi, sipas tij, “ngjarjet tragjike të 21 janarit duhet të hetohen në mënyrë të plotë, të thellë, të hollësishme dhe me objektivitet”.
“Ky hetim duhet bërë nga institucionet, nga institucionet shtetërore. Asnjë komision parlamentar, aq më shumë një komision parlamentar njëngjyrësh, nuk mund të zëvendësojë institucionet e pavarura”, deklaroi ai.
Top Channel