Deputeti i Partisë Socialistë, Blendi Klosi, bëri thirrje për një zgjidhje urgjente politike, ndërsa fajësoi mungesën e zgjatur të vullnetit të pozitës për bisedime, si shkaktare të krizës politike në vend.
Duke folur në “Top Story”, Klosi tha: “Ajo që na kërkojnë të gjithë në këtë moment është të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të gjejmë një zgjidhje politike, që do të pengojë shqiptarët të dalin edhe më të shumtë në sheh për të protestuar”.
Megjithatë, ai vendosi në dyshim vullnetin e qeverisë për të biseduar, duke theksuar se prej dy vitesh, kabineti qeverisës ka hequr dorë nga tavolina, duke mbajtur qëndrime të njëanshme, të cilat nuk marrin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve dhe të ardhmen e vendit.
”Këtu është arritur si rrjedhojë e një serie skandalesh, duke nisur që nga refuzimi i qeverisë Berisha për të hapur kutitë dhe deri tek video e zëvendëskryeministrit Meta, e cila mbushi kupën. Kjo qeveri nuk ka më legjitimitetin për të udhëhequr”, tha Klosi, cili risolli në vëmendje situatën në Kosovë.
”Kosova shmangu krizën që ndodhi në Shqipëri nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve në të gjithë ato zona që rezultati ishte i dyshimtë. Nëse kjo do të ishte bërë në Shqipëri, nuk do të kishte arritur puna që me qindra mijëra qytetarë të dilnin të protestonin në rrugë”.
Klosi u ndal edhe tek protestat e përgjakshme të 21 dhjetorit, ku tre persona humbën jetën. “E kam të pamundur të kuptoj se si një shtet demokratik, antar i NATO-s, mund të provokojë 200 mijë shtetas të tij, duke i hedhur gaz helmues dhe duke i sulmuar i pari.
Protestat do të kishin qenë tërësisht paqësore, nëse shteti nuk do të kishte provokuar incidente”.
Sipas deputetit Klosi, pa mungesën e filmimeve që treguan të vërtetën, shteti do të kishte shtrembëruar të gjithë të vërtetën. “Nëse kamerat nuk do të kishin treguar se si u vranë barbarisht ata tre qytetarë me duar në xhepa, gjysma e opozitës sot do të ndodhej në burg.
Krizat që po shkaktohen nga Sali Berisha po vijnë njëra pas tjetrës. Ata njerëz dolën në rrugë sepse kriza ekonomike, që është kriza më e madhe nga të gjitha, po i lë njerëzit pa bukë.
Vetëm këtë javë, çmimi i ilaçeve është rritur me 10%, ndërsa një litër naftë ka shkuar 170 lekë. Këta njerëz që dalin në rrugë, dalin sepse nuk kanë më asnjë mundësi për të duruar.
Të gjithë këto kriza, po fshehin në thelb atë që është një gjendje alarmante në vend, e padurueshme për shqiptarët e thjeshtë. Edhe një herë më shumë, ju garantoj se njerëzit nuk kishin asnjë qëllim të preknin institucionet e vendit.
Ata u vranë vetëm sepse po tregonin përpara të gjithë botës atë që është e vërteta e trishtë e këtij vendi. Ky shtet është përgjegjës për vrasjen e atyre tre personave, për atë të katërin që po lufton me vdekjen, për dhjetëra të plagosurit dhe qindra mijëra shqiptarët që nuk arrijnë dot në fundin e muajit”, përfundoi Klosi.
Top Channel