KiE: Kriza rrezikon stabilitetin

03/02/2011 19:45

Raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso dhe Thomas Jirsa, i kërkojnë të gjitha palëve në vend që të negociojnë për zgjidhje ndaj krizës aktuale politike në Shqipëri, dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën tashmë të tensionuar.

“Kjo krizë po shkakton dëm të përhershëm ndaj institucioneve demokratike në Shqipëri dhe po rrezikon shumë stabilitetin e vendit”, sipas dy bashkëraportueseve.

Finlandezi Jaako dhe çeku Jirsa shprehin shqetësimin e tyre në komunikatën e përbashkët për shtyp “veçanërisht, në lidhje me veprimet që vënë në dyshim lirinë e medias, si dhe mbi thirrjet e fundit për të mos përfillur institucionet legjitime shtetërore”.

Sipas tyre, zgjidhja e konfliktit të fundit nuk mund të vijë nga rruga, por vetëm nga një kompromis i negociuar nga dy partitë që janë dhe protagonistët kryesorë për ngërçin.

Në këtë drejtim, dy raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës shprehen të gatshëm për të kontribuar në zgjidhje, “nëse palët e  dëshirojnë” dhe bëjnë të ditur se do të zhvillojnë një vizitë 3 ditore më 21 mars në Tiranë.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA