Kanë zgjatur deri në orët e mëngjesit të së enjtes të shtënat në Sheshin Tahir, në Kajro të Egjiptit, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë të paktën 10 protestues dhe janë plagosur 800 të tjerë.
Të shtënat e armëve dhe zjarre të rëna ka pasur për dy orë rresht, teksa protestuesit anti-qeveritarë u përpoqën të mbanin nën kontroll sheshin.
Protestuesit kërkojnë që presidenti Hosni Mubarak, në pushtet prej 30 vitesh, të largohet menjëherë nga detyra.
Nga ana e tij, Mubarak ka deklaruar se do ta kryejë deri në fund mandatin e tij presidencial, që përfundon në shtator, por nuk do të rikandidojë.
Megjithatë, as kjo deklaratë nuk i ka qetësuar demonstruesit dhe liderët e partive të opozitës, të cilët e kanë vlerësuar si një dredhi të kreut të shtetit.
Gjatë së mërkurës tre persona humbën jetën gjatë përleshjeve mes turmave kundër dhe atyre pro presidentit Mubarak.
Top Channel