PD: Të vendosur të zbardhim puçin

01/02/2011 20:15

Pas deklarimeve të kreut të opozitës për dialog, Partia Demokratike përmes kryetarit të grupit parlamentar Astrit Patozi deklaroi se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund hetimit dhe se Rama nuk mund të lajë duart nga krimi me kërkesën për dialog.

“Maxhoranca legjitime, që qeveris vendin, është e vendosur që të zbardhen dhe të nxirren para drejtësisë autorët e pucit të dështuar të 21 janarit, duke e konsideruar atë si interesin e parë dhe më jetikun  për vendin, shtetin dhe për cdo qytetar shqiptar. Në këtë kontekst, më duhet të theksoj se cdo përpjekje për të spostuar vëmendjen e publikut nga dhuna e 21 janarit dhe nga pasojat e saj nuk e lëkund aspak përcaktimin  tonë. Ndaj edhe me këtë rast i kujtojmë  kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, se ai nuk mund të fshehë dhe as mund të lajë dorën e krimit të rëndë, pas gjoja kërkesës për nisjen e dialogut politik në Shqipëri. Partia Demokratike ka inkurajuar dhe e mirëpret përfundimin e hetimeve të pavarura, që kanë nisur, duke i garantuar qyetarët e këtij vendi se përgjegjësia do të mbahet  për gjithcka ndodhi para, gjatë dhe pas 21 janarit. Shqiptarët duhet ta mësojmë, dhe do ta mësojmë shumë shpejt, se kush janë përgjegjësit për dhunën e pashembullt, për viktimat, për të plagosurit dhe të kërcënuarit, në atë mizori dhe barbari të egër, gjatë grushtit të dështuar të shtetit. Dhe kjo është sot më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, deklaroi Patozi.

Por Partia Socialiste reagoi duke thënë se ftesa për dialog nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit lidhur me situatën.

“Sqaroj në emër të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës se gatishmëria jonë për dialog e kompromis, nuk nënkupton asnjë ndryshim të qëndrimit tonë lidhur me sa po ndodh në Shqipëri. Ne jemi vendosmërisht kundër regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut dhe lufta frontale e Saliut kundër Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve kundërshtarë, të gjithë puçistë, tregon në fakt se çfarë marrëzie është vetë përralla e këtij puçi imagjinar. Ne kemi qenë e jemi gati për dialog në të mirë të vendit dhe për kompromis në interes të shqiptarëve. Por sigurisht ne nuk do të presim kthimin e Saliut nga rruga qorre ku ai ikën përditë, në drejtim plotësisht të paditur, është shprehur Megi Ajtyresa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA