I ftuar në studiot e Top Channel, gazetari dhe analisti Andi Bushati, emri i të cilit është në listën e gazetarëve, tabulatet e të cilave kërkohen nga Komisioni Hetimor Kuvendor për ngjarjet e 21 janarit, e cilësoi këtë vendim si një lojë të shëmtuar që synon fshehjen e autorëve e fajtorëve të vrasjeve gjatë demonstratës.
“E gjithë kjo është një lojë për të qeshur dhe e shëmtuar që bëhet për të fshehur një gjë shumë serioze: kush vrau e kush urdhëroi për të vrarë, çdo gjë tjetër është shashkë”, tha Bushati.
Më tej gazetari vlerësoi se gazetarët më 21 janar kanë kryer profesionin e tyre që konsiston në kontaktin me të gjitha palët dhe se nuk janë informuesit e publikut ata që duhen hetuar, por ata që kanë bërë keq ose në mënyrë kriminale detyrën e tyre.
“Gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre. Kjo është detyra e gazetarëve të flasin me të gjitha palët. Edhe nëse do kisha komunikuar me Bin Ladenin kam kryer detyrën time. Ata që e kanë bërë keq ose në mënyrë kriminale detyrën e tyre, ata duhen hetuar”, tha zoti Bushati.
Top Channel