Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një mesazh të fortë drejtuar kombit, ka deklaruar se në 21 janar u shkel ligji.
Kreu i shtetit ka folur për dhunën ndaj institucioneve, mbrojtësve të tyre, por edhe anasjelltas, ku humbën jetën tre persona.
“21 janari nuk duhet të ndodhte. Më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak, të kishte viktima, të plagosur e të dhunuar. Më 21 janar nuk duhet të kishte lotë të nënave, grave e fëmijëve. Nuk duhet të kishte dhunim të institucioneve, nuk duhej të shkelej ligji. Më 21 janar ligji u shkel rëndë. Në një vend demokratik shkelja e ligjit ndëshkohet bashkë me shkelësit. Kërkesa për ta zbardhur ngjarjen është përparësi e shtetit, drejtësisë, SHISH, etj”, ka deklaruar Topi.
Në mesazh, presidenti është shprehur se ngjarjet cënuan rëndë ëndrrën europiane të shqiptarëve dhe ka kërkuar nisjen e një dialogu politik për të dalë nga kriza e rëndë ku është futur vendi.
“Por transparenca e shpejtë kërkon një bashkëpunim reciprok, të qartësuar në Kushtetutë. Një vend quhet demokratik sepse në praktikë, të sanksionuar me ligj, institucionet janë të pavarura në punën e tyre, për të garantuar rendin për qytetarët. Një shtet ligjor mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i hallkave nuk cënohet. Por kjo ngjarje ka nevojë për një analizë dhe transparencë politike. Ajo do të na ndihmojë të kthjellojmë mendjen dhe të nxjerrim shqipërinë nga ky rreth vicioz ku ndodhet”, ka nënvizuar Topi.
Për kreun e shtetit, që demokracia të funksionojë nevojitet ndarja dhe respektimi i pushteteve dhe institucioneve, si dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë mes tyre pa asnjë lloj presioni.
“Shqipëria po kalon një nga krizat më të vështira politike gjatë tranzicionit. Që nga fillimi i kësaj legjislature Parlamenti ka punuar gjysmë bosh, debati politik është spostuar në rrugë, media dhe duke harruar që politikanët bëhen deputetë përmes zgjedhjeve për t’u ofruar qytetarëve zgjidhje të problemeve të tyre. Kjo mungesë e përgjegjshmërisë politike ka shkaktuar pengesa në funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe në integrimin e vendit në BE. Bëj thirrje për gjetjen e kompromisit politik për të nxjerrë vendin nga kjo krizë. Koha nuk pret. Së fundmi, 21 janari kërkon një përgjigje edhe për miqtë tanë që po na shohin”, ka shtuar Topi.
Top Channel