Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka përfunduar para pak castesh mbledhjen e tij, ku është vendosur rifillimi i protestave kundër qeverisë më 4 shkurt.
Deputeti Sajmir Tahiri ka deklaruar në një konferencë për shtyp, se protesta e së premtes do të ketë formë tjetër nga ato të deritanishmet.
“Demonstrata e së premtes do ketë një formë tërësisht tjetër, e cila do t’u bëhet e qartë qytetarëve nga dita e nesërme”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se grupi i socialistëve ka firmosur edhe një kërkesë, përmes të cilës shpallet antikushtetues komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit.
“Komisioni hetimor është ngritur për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi. Është firmosur një kërkesë për shpalljen antikushtetues të këtij komisioni hetimor”, ka pohuar Tahiri.
Ai ka shtuar më tej se PS nuk do të tërhiqet derisa të jenë dorëzuar oficerët e gardës, përgjegjës për viktimat e 21 janarit dhe për të penguar sulmet e kryeministrit ndaj institucioneve.
Top Channel