Partia Socialiste akuzoi kryeministrin se duke mbrojtur 6 gardistët e kërkuar për ndalim nga Prokuroria e Përgjithshme po tenton të fshehë krimin e ndodhur në 21 janar, ku mbetën të vrarë tre demonstrues.
“Këta 6 komandantë e ushtarë të Gardës të Republikës duhet të ndalohen urgjentisht për krimin makabër për të cilin akuzohen se kanë kryer në 21 janar kundër protestueve të paarmatosur, jashtë territorit të kryeministrisë. Cdo gjë tjetër që thotë Saliu është e kotë dhe nuk i hyn në punë kërkujt. Duke mos dorëzuar të 6 gardistët që vranë e plagosën në 21 janar, Sali Berisha po konsumon një grusht shtetit, po shkel Kushtetutën e Shqipërisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve”, deklaroi deputetja Vasilika Hysi.
Në emër të PS, Hysi paralajmëroi përgjegjësi të plotë ligjore për të gjithë ata që do të bashkëpunojnë, sic tha ajo, me kryeministrin në këtë aksion që ka për synim pengimin e drejtësisë.
“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndaj drejtuesve të policisë që nuk zbatojnë këtë urdhër të prokurorisë ka vend të fillojë urgjentisht procedimi penal. Drejtuesit e policisë, që sot mendojnë se janë të mbrojtur nga Sali Berisha dhe se kjo mbrojtje u garanton atyre imunitet nga ligji, duhet të mbajnë mirë parasysh pasojat serioze penale që do të rëndojnë mbi ta për cdo minutë që pengojnë punën e drejtësisë”, theksoi Hysi.
Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimet për 6 oficerë të gardës që më datë 22 janar, por 9 ditë më pas asnjë prej tyre nuk është ekzekutuar nga policia.
Top Channel