Një gjykatë pakistaneze ka lëshuar një mandat-arresti për ish presidentin e vendit, Pervez Musharaf, në lidhje me vrasjen e lideres së opozitës Benazir Bhutto, në 2007-tën.
Prokurorët pretendojnë së Musharaf, që aktualisht jeton në Londër, ishte në dijeni të planeve për vrasjen e ish kryeministres, por nuk bëri asgjë për të parandaluar këtë krim.
Gjenerali i mohon akuzat si krejtësisht të pabaza. Përmes zëdhënësit të tij, Musharaf e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet në Pakistan për të marrë pjesë në seancën dëgjimore.
Zonja Bhutto u vra nga një sulm kamikaz në qytetin e Ravalpindit dhjetorin e 4 viteve më parë.
Ajo ka qenë dy herë kryetare qeverie, e para grua e zgjedhur në drejtimin e një shteti mysliman.
Akuza pretendon se dy zyrtarë u kanë pohuar hetuesve se me urdhër të Musharafit, zhdukën disa detaje sigurie të cilat kishin të bënin me sulmin e mundshëm ndaj zonjës Bhutto, pikërisht përpara nisjes së saj drejt Ravalpindit.
Top Channel