Ministri i Jashtëm slloven deklaron se BE nuk do ta braktisë Shqipërinë. Ne nuk duhet ta humbasim Shqipërinë gjatë rrugës se integrimit – tha Samuel Zbogar.
Ai kërkoi nga Bashkimi Europian një rol më të madh, në përgatitjen dhe monitorimin e zgjedhjeve vendore, në mënyrë që ato të jenë më të besueshme.
Top Channel: Si ju duket situata në Shqipëri? Ka krizë politike, një demonstratë e dhunshme u zhvillua, për të cilën kryeministri ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme, Shërbimin Sekret, Presidentin e Republikës dhe liderin e opozitës si pjesë për këtë “puç ndaj shtetit”?
Samuel Zbogar, Ministri i Jashtëm i Sllovenisë: Unë mendoj se situata në Shqipëri nuk është e mirë. Mendoj se ne duhet të bëjmë thirrje për qetësi ndaj Shqipërisë, e duhet të shpresojmë për rivendosjen e dialogut mes qeverisë dhe opozitës, e sot do të bëja thirrje edhe për më shumë angazhim nga ana e BE-së mbi situatën në Shqipëri. Ne nuk mund të lëmë Shqipërinë të vijojë në këtë mënyrë siç po ecën tani. Shqipëria është në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, pra përbën shqetësim dhe për ne. Ne nuk duhet ta humbasim Shqipërinë, në njëfarë mënyre përsa i përket perspektivës së BE-së. Për këtë arsye ne duhet të angazhohemi. E di që zoti Lajçak ka qenë së fundi atje dhe ai do të na raportojë sot, por gjithësesi mendoj se duhet të angazhohemi shumë më tepër. Duhet të flasim me të gjitha palët atje e të gjejmë mënyrën për kapërcimin e kësaj situate të mjerë.
Top Channel: A mendoni se zgjedhjet e përgjithshme të parakohëshme mund të zgjidhin problemin e mungesës së besimit mes palëve dhe të legjitimitetit?
Zbogar: Mendoj se zgjedhjet lokale të majit duhet të përgatiten shumë më mirë e për këtë BE mund të angazhohet më së miri në të gjithë procesin përgatitor e monitorues të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë rezultati do të ishte më i besueshëm e do të ishte i garantuar nga Bashkimi Europian. Por, e theksoj, për mua BE duhet të angazhohet shumë, shumë më tepër tani me Shqipërinë…
Top Channel: A ka instrumente që BE mund të përdorë për Shqipërinë?
Zbogar: Ne kemi instrumente që mund t’i përdorim për të inkurajuar Shqipërinë, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre viteve të kaluara. Shqipëria bëri punë shumë të mirë në drejtim të BE-së për liberalizimin e vizave e duke u munduar që të kërkonte statusin kandidat, e unë gjykoj se kjo është rruga që vendi duhet të ndjekë, e në këtë drejtim edhe BE mund të angazhohet ndaj Shqipërisë, duke u përpjekur që të gjithë udhëheqësit shqiptarë të merren vesh e t’i bëjë ata që të bien dakort në disa pika të përbashkëta për të ardhmen. Ata le të zgjidhin çështjet e së kaluarës sigurisht, por të shohin dhe ndaj së ardhmes. E ndoshta zgjedhjet e majit në këtë aspekt mund të përfaqësonin një kthesë për të vijuar përpara.
Top Channel: A është e mundur për ju që Ashton dhe Fyle të shkojnë vetë për të zgjidhur situatën në Shqipëri?
Zbogar: Këtë mund ta diskutojmë më vonë, por po, mendoj se Ashton dhe Fyle duhet të shkojnë në Tiranë, madje edhe ministra të tjerë (europianë) duhet të shkojnë në Tiranë. Ata duhet të përpiqen që të flasin me secilin prej tyre, të përpiqen që t’i kuptojnë ata, dhe t’i ndihmojnë, nëse ndihma e tyre kërkohet. Në këto momente, është e qartë se atje ka nevojë për ndihmë tani.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel