PD: Komisioni nuk dublon prokurorinë

30/01/2011 19:15

Kryetari demokrat i komisionit parlamentar, që po heton sjelljen e insitucioneve para, gjatë dhe pas 21 janarit,  ka hedhur poshtë deklaratat e opozitës për paligjshmërine e kërkesës së këtij komisioni për të administruar tabulatet telefonike për muajin janar të drejtuesve më të lartë të institucioneve kushtetuese të vendit dhe drejtuesve të opozitës.

“Komisioni ka kërkuar thjesht dhe vetëm, skedarët apo listat e identifikimit të thirrjeve dhe komunikimeve, hyrëse dhe dalëse si dhe kohën e tyre, për të bërë transparencën e zhvillimeve të atyre ditëve. Ata që kanë frikë nga transparenca për bashkebiseduesit që kanë patur, duhet të dinë, se ngjarja e 21 janarit do të përshkohet nga rrezja e të vërtetës në çdo qelizë të saj. Por frika nga transparenca flet vetë. Ne jemi të vendosur për këtë”, deklaroi kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe deputet i Partisë Demokratike, Eduard Halimi.

Zoti Halimi mbrojti dhe ligjshmërinë e Komisionit Hetimor, duke theksuar se ky komision, që po heton veprimet e insitucioneve gjatë organizimit kriminal për marrjen e pushtetit me dhunë dhe ekzistencën e puçit të shtetit,  nuk ka të njëjtin objekt hetimi me atë të prokurorisë, e cila ka hapur çështje penale vetëm për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dëmtim të pasurisë publike.

Një konstatim të ngjashëm për akuzën e ngritur nga prokuroria bënë edhe një grup anëtarësh të tjerë demokratë të Komisionit Hetimor, të cilët ishin në mesditë në  Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Pas takimit faktmbledhës, për rreth një orë me dyer të mbyllura, me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, deputeti Gent Strazimiri, konfirmoi se prokuroria nuk ka hapur asnjë hetim disa vepra penale të rrëzimit me dhunë të rendit kushtetues.

“Ajo që besoj se është më interesantja nga ky takim është fakti se ende sot, në këto momente që po flasim, Policia e Shtetit nuk ka marrë urdhër nga prokuroria për të kryer veprime hetimore në asnjë prej veprave penale të meposhtme: thirrje publike për dhunë kundër rendit kushtetues, pushtim të ndërtesave me qellim rrëzimin me dhunë të rendit kushtetues, thirrje dhe organizim për të detyruar organet shtetërore të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, krijimin e turmave të armatosura dhe të gjitha këto, natyrisht, në mbështetje të nenit 2, 5 të Kodit Penal që parashikon edhe bashkëpunimin për to. Dhe se fundmi, nuk kanë marrë ende asnjë urdhër për të kryer veprimet hetimore në lidhje me veprën penale të poshtërimit të simboleve të Republikës, respektivisht flamurit kombëtar”, tha deputeti Strazimiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA