Lëvizja Socialiste për Integrim ripërsëriti edhe njëherë sot nëpërmjet kryetarit Ilir Meta, gjatë mbledhjes së kryesisë së saj, qendrimin se ngjarjet e 21 janarit ishin të organizuara nga Edi Rama me qellimin final për të marrë pushtetin me dhunë.
“Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, 21 janari ka qenë një sulm i armatosur i drejtuar nga Edi Rama për marrjen e pushteti me dhunë. 28 janari u bë për të mbuluar 21 janarin sepse 28 janari ishte një manifestim hipokrizie, jo qytetarie i lidershipit të Partisë Socialiste. Qëllimi kryesor është si të mos hyhet në zgjedhjet vendore, si të përsëritet loja e vitit 2007, por në përmasa të tjera. Në përshëndesim angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të asistuar hetimin e kësaj cështjeje pasi kuptohet që zhvillimet e pas 21 janarit kanë ngritur pikëpyetjet e tyre mbi objektivitetin dhe seriozitetin e procesit të hetimit”, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Reagon PS: Asgjë s’e ndal popullin
Ndërkaq Partia Socialiste u kundërpërgjigj duke u shprehur se asgjë nuk mund ta ndalë popullin dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë kusarët.
“Prap Ilir Meta?! Prap aktori i videomanisë?! Prap ai që shiti votat e 80 mijë opozitarëve për t’u bërë pjesë e pushtetit që vodhi votat për të vjedhur gjithë Shqipërinë?! Po boll më o zotërinj sepse nuk ka mbetur më asnjë i madh e i vogël pa e kuptuar se ky është koalicioni i turpit e se duhet të largohet. Liria, barazia na bashkojnë sot me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë kundër kusarisë që vret për pushtet. Përgjigjia që sot kemi për zotin Meta është se asgjë nuk e ndal popullin e se asgjë nuk i shpëton kusarët”, deklaroi deputetja socialiste, Olta Xhaçka.
Top Channel