Turqia: BE diskriminon muslimanizmin

29/01/2011 12:50

Zëvendëskryeministri i Turqisë akuzoi Bashkimin Europian për diskriminim fetar, gjatë forumit ekonomik në Davos, Zvicër.

Duke folur sot në një panel ku përfshihej edhe presidenti i BE-së, Herman van Rompuy, Zoti Ali Babacan deklaroi: “Gjithmonë kemi menduar se BE përfaqëson një projekt të madh paqeje, por fatkeqësisht, procesi ynë i integrimit ka mbetur pezull prej kohësh.

Politika e dyerve të hapura nuk ka rezultuar e vërtetë për ne. Një prej arsyeve kryesore përse Turqisë nuk i hapen këto dyer është sepse BE është shndërruar në një “klub kristian”. Mendojmë se Brukseli po jep një mesazh të keq për atë që do të jetë Europa e së ardhmes. Sipas pikëpamjes sonë kjo është shumë shumë e rrezikshme”.

Ankaraja nisi bisedimet e hyrjes me Brukselin në vitin 2005, por procesi ka mbetur pezull si rrjedhojë e kundërshtisë nga disa antarë, mungesës së reformave të kërkura në Turqi dhe problemeve politike mbi çështjen e Qipros.

Turqia ka vendosur një bllokadë tregtare mbi autoritetet e Nikosias, ndërsa është shteti i vetëm që njeh një shtet të dytë në ishullin qipriot, një pikë nga e cila duhet të heqë dorë nëse dëshiron të antarësohet.

Qipro është një vend antar i Bashkimit Europian. Presidenti Francez, Nicolas Sarkozy dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, kanë shprehur më parë rezerva për antarësimin e Turqisë.

Top Channel