Rusi, zbulohet identiteti i kamikazit

29/01/2011 13:25

Hetuesit rusë zbuluan identitetin e kamikazit të aeroportit të Moskës, ndërsa theksuan se sulmi u krye nga një mashkull.

Më parë ishte raportuar për një kamikaze femër, të mbuluar me shami. Megjithatë, personi që i morri jetën 35 personave dhe plagosi 180 të tjerë ditën e hënë ishte një 20-vjeçar nga Kaukazi jugor.

Komiteti Federal i Hetimit publikoi gjatë mesditës këtë lajmërim në faqen e tij të internetit. Nuk u bënë të ditura të dhëna të tjera rreth hetimit, por zbulimi i identitetit të kamikazit do të ndihmojë autoritetet të kuptojnë se cila organizatë e ka mbështetur.

Rebelët çeçenë kanë marrë përgjegjësi për një seri sulmesh gjatë viteve të fundit, përfshi atë në metro dhe të njëjtin aeroport, por asnjë grupim nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për tragjedinë e 24 janarit.

Top Channel