Rritet interesi i Eurobondit

29/01/2011 16:00

Në tetor të vitit të kaluar Shqipëria hyri zyrtarisht për herë të parë në tregjet financiare botërore, ku qeveria mori borxh 300 milionë euro me interes 7.5 përqind.

Kur ende nuk kanë kaluar as tre muaj, interesi i Eurobondit shqiptar në treg po tenton të kapë vlerën 8.5 përqind.

Burime nga financat bëjnë të ditur për Top Channel se aktualisht bondi i qeverisë shqiptare po tregtohet me një interes prej 8.3 përqind, ose 0.8 pikë përqindjeje më shumë nga sa u emetua para tre muajsh dhe tendenca që nga koha e emetimit ka qenë gjithmonë në rritje.

Ndonëse rritja e interesit në tregjet ndërkombëtare dytësore ku tregtohet borxhi shqiptar, nuk e prek buxhetin në afatshkurtër sepse qeveria paguan interes fiks 7.5 përqind, sipas ekspertëve, ajo përcjell dy mesazhe.

Së pari nëse Shqipëria do të dalë sërish në treg për të marrë borxh, interesi nuk do të jetë më 7.5 përqind, por do të luhatet rreth shifrës 8.5 përqind.

Qeveria e cila më parë kishte njoftuar se do të hynte sërish në treg gjatë vitit 2011 duket se është tërhequr tashmë, pasi ministri i Financave deklaroi pak ditë më parë se defiçiti do financohet me borxh të brendshëm dhe kredi zhvillimi.

Dhe së dyti, që është dhe më e rëndësishme, rritja e interesit tregon se investitorët e huaj po perceptojnë më shumë rrezik për ekonominë shqiptare, e cila përveçse mbetet me borxh të lartë, tani po përballet edhe me efektet e një krize të tejzgjatur politike dhe tensioneve që burojnë nga ajo.

Top Channel