PSE: Të zgjidhet kriza

29/01/2011 12:20

Partia e Socialiste Europiane, përmes një deklarate kërkon vendosjen e menjëhershme të qetësisë dhe dialogut në Shqipëri.

Kryetari i Task Forcës së kësaj partie për Zgjerimin e Ballkanit Perendimor dhe anëtar i Parlamentit Europian, Kristian Vigenin, tha se, “Shqipëria duhet të kapërcejë situatën aktuale dhe të vazhdojë të punojë për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Europian”.

“Në këtë kontekst kaq dramatik- tha ai- i bëj thirrje Komisionit Europian që të marrë një qëndrim të qartë dhe të bëjë të qartë se vendi nuk do të shënojë përparime drejt anëtarësimit në BE nëse nuk do të vendoset dialogu dhe nuk do të gjendet zgjidhja afatgjatë për të zgjidhur krizën politike”.

Partia e Socialiste Europiane dënon reagimin nga ana e qeverisë dhe bën thirrje për një hetim që do të nxjerrë se kush është përgjegjës për vdekjen e tre protestuesve.

Partia e Socialistëve Europianë u bën thirrje të gjitha forcave politike, forcave qeveritare dhe Partisë Socialiste që të mos e përkeqësojnë situatën aktuale të pastabilizuar.

“Është urgjente që tensioni social të trajtohet në mënyrë të qetë, të arsyeshme dhe konstruktive, gjë që është thelbësore për të rivendosur funksionimin normal të institucioneve politike”, thuhet në deklaratë.

PSE i kërkon Partive Popullore Europiane, një grupim me influencë në nivel europian që i përket qendrës së djathtë, t’i bëjë thirrje kryeministrit Berisha që të ndalojë politikat e tij të papërgjegjshme, siç është ushtrimi i presionit ndaj prokurores së përgjithshme që të tërheqë akuzat për ata që janë përgjegjës për vrasjet.

Top Channel