
“Mallkimi i vitit të gjashtë”, ishte tema e talk show-t, Top Show në Top Channel ku politikanë e intelektualë, nisur edhe nga shembujt historikë në Shqipëri e në botë, diskutuan mbi krizën që përfshin palën në pushtet në vitin e gjashtë.
Pikërisht në vitin e gjashtë ndodhet edhe mazhoranca shqiptare e ardhur në pushtet në vitin 2005. Të ftuarit folën mbi ngjarjet e fundit në sferën e politikës shqiptare dhe a është përfshirë pushteti shqiptar në “krizën e vitit të gjashtë”.
Për shefen e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Grida Duma, humbësit e vërtetë nga ngjarjet e 21 janarit janë shqiptarët. Sipas saj një grup i vogël personash dëmtuan imazhin e Shqipërisë me ngjarjet e ndodhura të shfaqura në mediat ndërkombëtare.
“Ishin një grup i vogël e izoluar personash që nuk përfaqësonin njerëzit e demostratës. Kjo pakicë nuk përfaqëson njerëzit normalë në shoqërinë shqiptare dhe asnjerën palë”, tha Grida Duma.
Ndërkohë për koordinatorin e Partisë Socialiste, Erion Veliaj, qendrimi i mazhorancës lidhur me vrasjen e 3 personave më 21 janar vazhdon të mbetet poshtërues për shqiptarët.
“Poshtërimi ende vazhdon sot, garda është mbi prokurorinë e kryeministri mbi ligjin”, tha Veliaj.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku fajësoi organizatorët për vdekjen e 3 personave gjatë demostratës së 21 janarit.
“Vdekja ishte pasojë e protestës së dhunshme, jo shkak i saj. Garda në mënyrë sistematike ka qenë me armë në dorë”, deklaroi deputeti Marku.
Top Channel