
Në një moment Shqipëria është në listën e “Lonely Planet” si një nga destinacionet që nuk duhet humbur, gjatë vitit 2011, një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit gëzuan liberalizimin e vizave…
Ndërsa më pas…
Forcat e qeverisë qëllojnë dhe vrasin protestuesit në rrugë dhe Ministria e Jashtme britanike paralajmëron vizitorët të shmangin turmat e mëdha në Tiranë.
Kështu e nis analizën e tij “Ndaloni Vetëshkatërrimin e Shqipërisë”, Daniel Korski, anëtar i Këshillit Europian për Çështjet Ndërkombëtare, organizatës pan-europiane, e publikuar në prestigjozen amerikane “New York Times”.
Mesazhi i tij është i qartë, pas një analize të detajuar të të gjitha zhvillimeve në Shqipëri prej vitit 1992, që prej kësaj kohe, sipas tij, zgjedhjet nuk janë konsideruar asnjëherë të lira dhe të ndershme nga OSBE, organizmi që i ka vëzhguar ato:
“Për të treguar shqetësimin e saj, Kethrin Eshton, përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian duhet të dërgojë një negociator në Shqipëri”, thotë ai.
“Duhet të ngrihet një komision ish-presidentësh. Bashkësia ndërkombëtare duhet të organizojë dhe zhvillojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm duke dërguar një mesazh të qartë se institucionet shqiptare nuk janë më të besueshme, apo të aftë të jenë të tillë. Një qeveri e re duhet të konkretizojë axhendën për reforma. Kjo më së fundi mund t’i ndalojë politikanët shqiptare t’i ndajnë më dysh institucionet e vendit. Nëse jo, ndikimi do të ndjehet përtej kufijve të Shqipërisë”.
Në çështjet e brendshme Korski kujton çfarë ndodhi 3 vjet më parë kur Berisha dhe Rama vendosen të ndryshojnë Kushtetutën “brenda natës”, shkruan ai duke cituar ish presidentin Alfred Moisiu.
Njësoj ndodhi edhe me Kodin e ri Elektoral. Ndërsa korrupsioni – sipas Korskit – ndoshta është problemi më i madh në Shqipëri.
Ai i referohet shpërthimit në Gërdec, jetëve të humbura, dorëheqjes së Mediut dhe rekuperimit të figurës së këtij të fundit, duke e kthyer sërish në qeveri si ministër i Mjedisit pasi fitoi sërish imunitetin duke u zgjedhur deputet në parlamentin e ri.
“Por ka plot raste të tjera – të panumërueshme – thotë ai – mes anëtarëve të klasës politike nga të gjitha partitë. Për të ardhur keq – sipas Korskit – është dhe situata e mediave”.
Ai kujton nxjerrjen nga zyrat të së përditshmes “Tema” dhe rrahjen e botuesit të saj prej badigardëve të një prej pronarëve të naftës, i lidhur me qeverinë, siç nënvizon Korski.
Edhe gjyqësori është në një gjendje kaotike, ndërsa po zjen debati nëse gjashtë komandantët e gardës të kërkuar për vrasjet me 21 janar duhet ose jo të arrestohen, të akuzuar për vrasjen e tre protestuesve.
Korski përmend në shkrimin e tij raportin e “Freedom House”. Kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në një mënyrë që ka bërë që “Freedom House” ta cilësojë vendin si “pjesërisht të lirë”, i njëjti status i dhënë për Abkazinë, Gambian e Nagorni-Karabakun, shkruan ai.
Pas gjithë kësaj panorame faktesh e ndodhish të pakundërshtueshme, politologu i bën thirrje politikanëve Berishës dhe Ramës të ndalojnë e të shikojnë dëmet, sepse, sipas tij, siç duket ata duan të fusin në punë mjetet jashtë-institucionale për të fituar apo mbajtur pushtetin.
E gjitha kjo i bën shqiptarët të rrezikojnë shumë – sugjeron Korski – të humbin liberalizimin e vizave, të mos kenë një shans serioz për anëtarësim në BE, madje dhe anëtarësimi në NATO mund të vihet në rrezik.
Top Channel