Moda e qebaptoreve në Shqipëri

27/01/2011 19:40

Lokalet e tymit, ato ku mund të hash disa ushqime të shpejta e tradicionale me një çmim të ulët, u vendosën në qendër të vëmendjes nga emisioni i pasdites në Top Channel.

Qoftet e zgarës, salçiçet e pjekura në qymyr dhe pulat e hellit janë disa nga specialitetet kryesore të lokaleve të tymit për një ushqim të shpejtë dhe pak të kushtueshëm. Por, në të vërtetë, çfarë është një lokal tymi dhe si përkufizohet nga ata që e drejtojnë.

”Një lokal tymi, nga përvoja ime shumëvjeçare, është një lloj restoranti ku ka vetëm zgara”, thotë manaxheri i një prej këtyre ambienteve, Bashkim Qeli. “Është një tip mence, ku mund të gjesh qofte, pula, patate dhe që në një kohë krize si kjo janë ekonomike dhe të shpejta”.

Lokale të tilla, ndoshta një nga elementët tradicionalë shqiptarë, sot mund t’i gjejmë në çdo cep të vendit. Siç përceptohet nga disa të rinj, ky lloj fast food-i “old fashion” është një territor i frekuentuar vetëm nga burrat.

E megjithatë, gjatë vizitës sonë në këto lokale vumë re një klientelë të përzgjedhur, jo vetëm femra dhe meshkuj shqiptarë, por edhe prezencën e disa të huajve. Shtetasi amerikan, Marc Croëford, e konsideron frekuentimin e një lokali tymi si një ndër gjërat e domosdoshme që duhen bërë për të njohur Shqipërinë e vërtetë.

“Unë me miqtë vijmë shpesh në lokalet e tymit. Ushqimi im i preferuar këtu është qafë deleje dhe birrë, por sot jam për rrugë dhe kam marrë cola”, thotë Croëford.

Ndërkohë, Taulant Gjoka, një nga klientët e rregullt shqiptar të këtij lokali tymi na tregon: “Më pëlqen lokali i tymit sepse ka ushqim të mirë dhe më pëlqen tradita e vjetër shqiptare”.

Ndërthurja e shijes me përvojën, cilësinë, dëshirën për të punuar dhe dëshirën për të ruajtur një nga pjesët e një mozaiku thuajse të shkatërruar, që quhet element i traditës së një populli, arrin të konkurojë edhe të ashtuquajturat restorante të klasit të parë.

“Përgatitja e disa nga asortimenteve tona është me një element bazë që është mishi duke vazhduar më pas me qepën, majonezën, piperin etj. Te tjera ushqime që preferohen janë edha sallata që kërkon 10-15 min për t’u përgatitur, suxhuku, pleskavicat. etj”, na sqaron njëri prej guzhinjerëve të një lokali tymi.

Ndërsa flasim për një element të vjetër si lokalet e tymit, por që vazhdojnë të ruhen me fanatizëm nga ata që herë pas here iu pëlqen të rikujtojnë të vjetrën, nga ana tjetër kemi edhe restorantet që më së shumti preferohen nga njerëz të shtresave të larta.

Por, në thelb, cili është ndryshimi që kanë restorantet nga qebabtoret? Për këtë na tregon më shumë Bashkim Qeli, ish-pedagog në Shkollën e Bashkuar dhe tashmë menaxher në një lokal tymi.

“Një nga karakteristikat dalluese të një lokali tymi, në krahasim me restorantet janë çmimet që variojnë nga 30-400 lekë maksimumi. Një tjetër arsye përse frekuentohen qebaptoret është edhe ushqimi i shpejtë dhe i shijshëm”, përfundoi Qeli.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel