
Gazetari Fatos Mahmutaj ka dëshmuar në emisionin “Top Story” momentet e demonstratës së 21 janarit, ku ai u plagos në dorë, teksa mbante në vesh celularin për të komunikuar me studion televizive.
“Në fillim ndjeva plumbin që më kapi dorën dhe më pas një kërcitje, që ishte kafka e personit pranë meje që u ca nga plumbi tjetër”, ka treguar Mahmutaj.
Duke folur për protestën, gazetari i kronikës së zezë ka deklaruar se në fillim të protestës, kanë qenë forcat e rendit ato që kanë goditur të parat protestuesit.
“Është e paqartë kush e ka dhënë goditjen e parë. Por ka momente kur policët kanë qëlluar me shkelma protestuesit. Kjo është pak e dyshimtë, por shumë njerëz e kanë pohuar”, ka dëshmuar Mahmutaj.
Sipas tij, ndërhyrja e armatosur e efektivëve të Gardës së Republikës ka qenë e panevojshme pasi ata nuk u sulmuan nga demonstruesit.
“Ndërhyrja e gardës ka qenë shumë e tepërt, sepse garda nuk është sulmuar. Unë e pash gardistin që qëlloi tek dritarja e poshtme e kryeministrisë. Gardisti u ngrit në këmbë dhe me automatikun e mbështetur tek barku qëlloi nga kolona dhe pastaj tek dera, ku u vra personi tjetër”, ka treguar Mahmutaj.
Top Channel