
Kreu i Komitetit amerikan të Helsinkit, Robert Hand ka deklaruar se ngjarjet e 21 janarit, ku humbën jetën tre persona, dëmtuan imazhin e Shqipërisë.
Në një intervistë për VOA, Hand është shprehur se ngjarjet e 21 janarit duhet të hetohen plotësisht.
“Ngërci politik ndihmoi në krijimin e një klime që mundësoi atë që ndodhi të premten e kaluar. Pikëpamja ime është se dhuna mund të shmangej dhe duhej të ishte parandaluar. Nuk u hiqet përgjegjësia e atyre që ushtruan këtë dhunë, apo atyre që e organizuan atë”, ka pohuar Hand.
Duke komentuar përplasjen mes qeverisë dhe prokurorisë, të shoqëruar me moszbatimin e 6 urdhër-arresteve, ai ka nënvizuar se institucionet e pavarura nuk duhet të pengohen në kryerjen e punës së tyre.
“Mendoj se cështja e urdhërarresteve duhet marrë seriozisht. Kjo po shoqërohet me akuza dhe duket sikur prokuroria po merr anën e opozitës dhe po bën gabim. Prokuroria ka për detyrë të hetojë rreth ngjarjes. Për sa kohë ajo u qëndron kompetencave të saj, qeveria nuk duhet të ndërhyjë. Nëse qeveria i sheh si të gabuara akuzat, duhet të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të japë kontributin e saj”, ka nënvizuar Hand.
Ai është shprehur se në situatën aktuale shihet qartë tendenca e opozitës për të minuar legjitimitetin e qeverisë. E majta sipas tij duhet të heqë dorë nga aktet e dhunës dhe nga mitingu i paralajmëruar, dhe të angazhohet për dialog me mazhorancën.
“Është e qartë ajo që kërkon PS, të minojë legjitimitetin e qeverisë së Shqipërisë. E paqartë është mënyra se si duan ta arrijnë këtë. Ata bojkotuan Parlamentin dhe vazhduan me protesta. Ajo ka në planë një protestë tjetër dhe gjëja më e mirë do të ishte të mos e bënte këtë, por të gjente mënyra që të vendoset dialogu politik. Nëse e bëjnë këtë na mbetet të shohim nëse koalicioni qeveritar do të bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Hand.
I pyetur nëse ngjarjet e 21 janarit tregojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë i parakohshëm, Hand ka dhënë këtë përgjigje:
“Kur vendet e reja hyjnë në NATO, demokracia bëhet më e qendrueshme. Mendoj se mbetet për t’u parë nëse shqipëria do të bëhej shembulli i keq për kryerjen e reformave pas anëtarësimit në NATO”, ka thënë ai.
Kreu i KAH ka shtuar se opsioni i zgjedhjeve të parakohshme duhet të vendoset nga populli shqiptar, i cili sipas tij keqpërdoret nga politika.
“I takon popullit të Shqipërisë të vendosë. Në Shqipëri ka një lëvizje të vogël të shoqërisë civile dhe politika është polarizuar. Ajo i mer të gjitha për vete dhe kjo duhet të ndryshojë në Shqipëri”, ka shtuar Hand.
Top Channel